Ndërlidhjet

logo-print

Kerry kërkon garanci për programin bërthamor iranian

  • RFE /RL

John Kerry

John Kerry

Irani dhe fuqitë botërore janë pajtuar që më 20 të këtij muaji të fillojë implementimi i marrëveshjes së tyre të përkohshme atomike.

Zëvendësministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka shpallur të dielën se marrëveshja është arritur pas bisedimeve ndërmjet zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Iranit, në Gjenevë më 9 dhe 10 janar.

“Marrëveshja ndërmjet ne dhe vendeve P+1, lidhur me metodën e implementimit të hapit të parë të planit të përbashkët aksional, që njihet edhe si Marrëveshja e Gjenevës, është finalizuar. Të dy palët e arritën një mirëkuptim të vetëm të metodës së implementimit për këtë marrëveshje dhe me ndihmën e Zotit, hapi i parë i Marrëveshjes së Gjenevës, do të filloj më 20 janar”, tha Abbas Araghchi.

Pajtueshmëria është pjesë e marrëveshjes së arritur në nëntor të vitit 2013, me të cilën synohet gjetja e zgjidhjes së përhershme për mospajtimet e gjata lidhur me ambiciet bërthamore të Iranit.

Qeveritë perëndimore mendojnë se Irani po përpiqet që në mënyrë sekrete të zhvilloj armatim atomik nën maskën e programit bërthamor civil.

Teherani i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se programi i tij atomik është në tërësi paqësor.

Zëvendësministri Araghchi tha se ai kishte marrë informacion nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, se grupi P+1 është pajtuar që 20 janari të jetë data e fillimit të implementimit të marrëveshjes së përkohshme.

“Ne u informuam se gjashtë shtetet janë pajtuar për zgjidhjet e propozuara dhe i kanë pranuar ato. Në anën tjetër, autoritetet përkatëse i kanë vlerësuar këto zgjidhje dhe përfundimisht e kanë shpallur pajtueshmërinë e tyre. Kjo marrëveshje është shpallur në kontakt ndërmjet meje dhe zonjës Ashton dhe ne u pajtuam për këtë marrëveshje, që është hapi i parë i kësaj marrëveshjeje, do të implementohet më 20 janar”, tha Araghchi.

Zonja Ashton e ka konfirmuar shpalljen e zëvendësministrit iranian Araghchi, me anë të një deklarate të shkruar, ku tha se palët tash do të kërkojnë nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore e Kombeve të Bashkuara,për ta verifikuar implementimin e marrëveshjes së përkohshme.

Sipas marrëveshjes së arritur më 24 nëntor 2013, Irani është pajtuar për ta ndalur punën më të ndjeshme në programin atomik në këmbim për zbutje të sanksioneve perëndimore.

Zoti Araghchi, për Televizionin shtetëror iranian, i ka shpjeguar detajet e marrëveshjes së përkohshme.

Janë 4.2 miliardë dollarë amerikanë të të ardhurave iraniane nga nafta, që do të lirohen, dhe nga ana tjetër këmbimi i 20% të materialit të pasuruar për të oksiduar ose për ta ulur përqindjen, duhet të kryhet. Ky aksion në anën tonë, dhe tjetri në anën e tyre, do të kryhen brenda gjashtë muajve”, tha Araghchi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka mirëpritur këtë zhvillim dhe tha se do të imponoj veto në “çfarëdo legjislacioni për vendosjen e sanksioneve të reja” gjatë negociatave që po vazhdojnë për marrëveshje më gjithëpërfshirëse atomike.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, gjatë një konference për shtyp të dielën në Paris tha se hapi i ardhshëm në bisedimet me Iranin për programin e tij atomik do të jetë “shumë i vështirë” dhe kërkohen garantime për komunitetin ndërkombëtar se programi atomik iranian është paqësor.

“Ne jemi shumë të qartë lidhur me atë se ne ballafaqohemi me më tepër sfida në negociatat për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ne kuptojmë se do të ketë negociata të vështira dhe ne jemi shumë të qartë lidhur me atë që do të kërkohet me qëllim që të jemi në gjendje të garantojmë për komunitetin ndërkombëtar se ky është program paqësor”, tha John Kerry.

Njëherësh, zoti Kerry, i ka përshkruar negociatat e ardhshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse me Iranin si “rasti më i mirë që ne e kemi për të qenë në gjendje ta zgjidhim këtë çështje kritike të sigurisë kombëtare në mënyrë paqësore dhe të qëndrueshme”. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG