Ndërlidhjet

Mitrovica veriore shkon në zgjedhje të reja


Pamje nga zgjedhjet e 3 nëntorit në Mitrovicën e veriut.

Pamje nga zgjedhjet e 3 nëntorit në Mitrovicën e veriut.

Qeveria e Kosovës ka shpallur të dështuar seancën inauguruese për kryetarin e Mitrovicës veriore. Si rrjedhojë, pritet që kjo komunë të shkoj në zgjedhje të reja për kryetar.

“Në seancën inauguruese të së shtunës, Kryetari i zgjedhur i komunës së Mitrovicës Veriore ka dështuar të japë betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës”, thuhet në raportin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit.

Më tej, thuhet se me këtë raport do të njoftohet edhe Presidentja e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve për shpalljen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore, ashtu siç parashihet me legjislacionin e zbatueshëm të Republikës së Kosovës.

Refuzimi i Krstimir Pantiqit që të nënshkruajë deklaratën në fletën, ku sipas informatave, simbolet e Kosovës ishin fshehur me një letër ngjitëse, ishte interpretuar si demonstrim i refuzimit të njohjes së shtetit të Kosovës.

Gjatë ditës, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, kishte thënë se u takon institucioneve të Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që të vendosë, pasi që Zyra e tij ka vetëm mandat këshillues dhe ndihmues.

“Të presim raportin e ministrisë, e cila është e angazhuar në këtë çështje dhe më pas do të përcjellim atë që ai raport do të thotë”, ka thënë Zbogar.

Ish-kandidatja për kryetare të Mitrovicës së veriut, Adriana Hoxhiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se veprimi i Pantiqit ishte i panevojshëm. Nëse nuk gjendjet një zgjidhje që ai të nënshkruajë deklaratën e betimit, Hoxhiq i sheh si të domosdoshme zgjedhjet e reja për kryetar të kësaj komune.

“Konsideroj që zgjedhjet për kryetarin e komunës janë një luks i panevojshëm, por të cilin ne, në fund, mund të detyrohemi ta pranojmë”, ka thënë Hoxhiq.

Sipas saj, qytetarët e Mitrovicës veriore janë lodhur me zhvillime të tilla politike, kështu që opsioni i thirrjes së zgjedhjeve brenda 45 ditësh nuk do të garantonte me asgjë pjesëmarrjen e votuesve, madje as në kuotën prej 22 për qind sa ishte në zgjedhjet e fundit.

Edhe ish-kandidati tjetër për kryetar të kësaj komune, Oliver Ivanoviq, ka thënë se zgjedhjet për kryetar mund të përsëriten.

“Është me rëndësi të gjendet një zgjedhje për kryetarin, pasi që një situatë e tillë nuk është parashikuar me ligj dhe nuk ka mund të parashihet, pasi që një përfaqësues politik vendos të marrë pjesë në proces dhe pasi e fiton mandatin, refuzon të nënshkruajë deklaratën e betimit!”, ka shprehur habinë e tij, Ivanoviq.

Për gjendjen e krijuar me postin dhe mandatin e kryetarit të Mitrovicës veriore, ka komentuar edhe ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

Sipas tij, Pantiqi e ka humbur mandatin, kështu që institucionet duhet t’i nisin procedurat që nuk e njohin ligjshmërinë e inaugurimit me çka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të shpallte më pas zgjedhjet e reja.

“Pasi që ai nuk e ka dhënë betimin brenda këtij afati, konsideroj se e ka humbur mandatin”, ka deklaruar Ferati.

Tani, kur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vendosur që të mos e pranoj si legjitim inaugurimin e Krstimir Pantiqit, presidentja Atifete Jahjaga pritet t’i kërkojë KQZ-së të ndërmarr masa për shpalljen e zgjedhjeve në një afat prej 45 ditësh.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG