Ndërlidhjet

Mosdhënia e rezultateve të duhura për vite me radhë, në luftën kundër korrupsionit dhe mosmarrja parasysh e kallëzimeve të dorëzuara në prokurori nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ka shtyrë disa nga përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që të mendojnë një iniciativë për heqjen e disa kompetencave këtij mekanizmi.

Drejtori ekzekutiv i “FOL”-it, Petrit Zogaj, konsideron se kompetenca e hetimit të rasteve korruptive nga agjencia, nuk është pjesa më e mirë e saj.

Ai konsideron se agjencia duhet të këtë mandat apo kompetenca vetëm për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtareve publik dhe parandalimin e konfliktit të interesit.

Një diskutim për mandatin e agjencisë është i shëndetshëm, po edhe për Prokurorinë dhe qytetarin. Duke pasur parasysh që janë tetë vjet; duke marrë parasysh që gjithë ato lëndë që janë dërguar; konfirmimi i aktakuzave ka qenë goxha i vogël, agjencia duhet të deklarohet publikisht që pjesa e hetimit të korrupsionit, nuk është pjesa më e mirë e saj. Për Prokurorinë, ne besojmë që nëse pjesa e hetimit do t’i largohet Agjencisë Kundër Korrupsion, qytetarët do ta kenë shumë më të qartë se ku duhet të dërgohen informatat për aferat e korrupsionit”, thotë Zogaj

Ai shton se dhënia e informacioneve nga qytetarët në agjenci, hetimi gjashtë mujor dhe më pas dërgimi në Prokurori, po merr shumë kohë.

Zogaj tregon se që nga themelimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit e deri më tani në Prokurori, janë dorëzuar qindra kallëzime – por, sipas tij, nga të gjitha ato, janë ngritur, siç thotë ai, rreth 20 aktakuza.

“Për shkak të një mandati konfliktuoz në mes të Prokurorisë dhe AKK-së, ato lëndë, pra është krijuar edhe kjo përshtypje sikur agjencia ka akuzuar Prokurorinë se nuk po i verifikon faktet si duhet dhe po i hedh poshtë lëndët para kohe".

"Mirëpo, sipas asaj që ne kemi parë, nuk janë më shumë se 300 lëndë ose informata që janë dërguar (në Prokurori) brenda kësaj periudhe tetëvjeçare, por nuk janë më shumë se 20 aktakuza që janë ngritur mbi bazën e informatave që agjencia i ka dërguar në prokurori”,
sqaron Zogaj, duke shtuar se nisja e hetimeve për afera korruptive vetëm nga Prokuroria, do të shuante konfliktin mes AKK-së dhe Prokurorisë, kurse qytetari nuk do të jetë më konfuz se ku të dërgojë informatën për korrupsion.

Një ide e tillë për të hapur debat lidhur me kompetencat e agjencisë apo edhe ndonjë iniciative për ndryshimin e Ligjit për kompetencat e këtij mekanizmi që ka për qëllim luftën kundër korrupsionit, nuk i pëlqen drejtorit të AKK-së, Hasan Preteni.

Hasan Preteni

Hasan Preteni

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se agjencia, të cilën e drejton ai, nuk ka nevojë për asnjë avokat. Sipas tij, ky propozim i organizatës “FOL”, nuk përkon me realitetin dhe rrethanat.

“Këto që aludojnë shoqëria civile, mendoj se kanë marrë një rol, të cilin nuk ju takon dhe nuk duhet të jenë avokat i një institucioni pa e pyetur institucionin. Kështu që, asnjë bisedë nuk është realizuar me agjencinë. Asnjë analizë e mirëfilltë nuk është bërë. Dhe, ato kallëzime që janë përmendur, nuk qëndrojnë, sepse nuk di ku i kanë marrë ato shifra”.

“Përkundrazi, e vërteta është një dhe kjo është që 70 për qind e kallëzimeve penale, që agjencia i ka ushtruar në prokuroritë kompetente vendore dhe ndërkombëtare, janë marrë për bazë për të vazhduar më pas për hetime penale. Rikujtoj se edhe ato rastet më të fuqishme, të cilat është duke i hetuar në aspektin penal edhe prokuroria e EULEX-it, zanafillën e kanë tek agjencia”
, thotë Preteni.

Kurse, Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në Institutin Demokratik të Kosovës, konsideron se monitorimet që i janë bërë agjencisë, tregojnë se kjo agjenci duhet të ketë një rol të vogël, parandalues në luftën kundër korrupsionit.

“Ndoshta ka ardhur koha, kur kompetencat për hetime të rasteve korruptive duhet t’i marrë vetëm Prokuroria dhe Policia, të cilat edhe me ligj i kanë të gjitha kompetencat për ta hetuar një rast dhe për ta çuar deri në Gjyqësor. Në këtë mënyrë, siç e kemi tani, edhe agjencia është duke i hetuar rastet korruptive. Kjo vetëm sa po i prolongon rastet dhe përgjegjësia nuk po drejtohet aty ku duhet”, pohon Mustafa.

Siaps Mustafës, Agjencia Kundër Korrupsionit ka emër të madh, por rezultatet e saj janë shumë të vogla dhe për këtë arsye duhet të ridefinohet edhe një herë se çka saktësisht duhet dhe mund të bëjë kjo agjenci.

Fondet për funksionimin e Agjencisë sigurohen nga Buxheti i konsoliduar i Kosovës, në bazë të propozimit të agjencisë, kurse agjencia vendos në mënyrë të pavarur për përdorimin e tyre.

Nga Buxheti i Kosovës për vitin 2014 Agjencisë Kundër Korrupsion i janë ndarë 485.000 euro.

AKK-ja ka filluar punën me emërimin e drejtorit me 17 korrik 2006, ndërsa është funksionalizuar më 12 shkurt 2007.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG