Ndërlidhjet

Maqedoni: Reformat në Gjyqësor, nisin me “matjen e dënimeve”


Ilustrim
Ilustrim
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal nga fusha e reformave gjyqësore, të cilat kanë marrë vizë nga Qeveria e Maqedonisë, kanë për qëllim miratimin e një “rregulloreje për matjen e dënimeve”.

Në bazë të kësaj rregulloreje, të gjithë gjykatësit në Maqedoni do të duhet t'i respektojnë udhëzimet e përcaktuara në të gjatë marrjes së vendimeve gjyqësore.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Aleksandar Georgiev, ka theksuar se kjo rregullore do të paraqesë një bazament për fillimin e reformave thelbësore në sistemin juridik në Maqedoni, si dhe sigurohet sistem më i drejtë dhe më objektiv i shqiptimit të sanksioneve penale.

Sipas tij, në këtë mënyrë do të mënjanohen të gjitha mundësitë, po edhe faktorët e ndryshëm, të cilët ndikojnë që qytetarët dhe kompanitë e ndryshme, mos të jenë në situatë të barabartë para ligjit gjatë shqiptimit të sanksioneve.

“Seriozisht, jemi të bindur se do të ngushtohet hapësira për të manipuluar ose pamundësohet që të sillet në mënyrë jokorrekte ndonjë palë, e cila është e përfshirë në sistemin gjyqësor, meqë tani për një vepër të njëjtë, disa gjykatës shqiptojnë sanksione më të buta, ndërkaq disa të tjerë, sanksione më të rënda dhe më serioze ndaj qytetarëve”, ka theksuar Georgiev.

Ai ka sqaruar se rregulloren në fjalë do ta përpunojnë vetë gjykatësit, derisa të njëjtën do ta aprovojë kryetari i Gjykatës Supreme të Maqedonisë, sipas mendimit të aprovuar paraprakisht nga Prokurori Publik, si dhe Oda e Avokatëve të Maqedonisë.

Por këtë mendim nuk e ndajnë ekspertët juridikë.

Margarita Caca – Nikollovska, ish-gjykatëse për të drejtat e njeriut në Gjykatën e Strasburgut, thotë se në këtë formë edhe më shumë krijohet hapësirë për ndërhyrje në vendimet e gjykatësve.

“Me këtë veprim, mendoj se atakohet edhe më shumë pavarësia e Gjyqësorit në pjesën e miratimit të vendimeve në formë individuale, varësisht nga një rast i caktuar. Gjykatësi është ai, i cili duhet të vendosë se çfarë dënimi do të shqiptojë, gjithsesi duke pasur parasysh dhe shumë rrethana përcjellëse në raport me veprën e kryer. Kjo, sepse edhe ashtu, deri më tani është mbajtur llogari për moshën e të pandehurit, statusin e tij familjar, gjendjen sociale të familjes së tij, pra është mbajtur llogari nga ana e gjykatësit para se të shqiptojë një dënim për një vepër të caktuar, si do të ndikojë i njëjti në një kuptim më të gjerë, përfshirë këtu dhe të gjithë faktorët përcjellës rreth të pandehurit”.

“Tani me rregulloren që parashihet të miratohet, marrja e vendimeve gjyqësore vendoset në korniza teknike”, thekson Caca -Nikollovska.

Ajo, duke komentuar qëndrimin e Qeverisë se në këtë mënyrë shmanget papërgjegjësia e një pjese të gjykatësve, për të cilët ka indice se kanë zgjedhur dënim minimal për të siguruar privilegje të caktuara, thotë se edhe sipas ligjeve ekzistuese, të gjithë gjykatësit për veprimet e tyre përgjigjen para Këshillit Gjyqësor, si organ i pavarur i sistemit gjyqësor. Sipas saj, pikërisht për këtë arsye duhet të përforcohet Këshilli Gjyqësor, si organ që do të sigurojë sundimin e drejtësisë, dhe jo të kërkohet zgjidhje përmes asaj që vendimet e gjykatësve të merren sipas një rregulloreje, ku në formë strikte do të jenë të definuara dënimet për vepra të caktuara.

“Arsyetimi se kjo rregullore vjen si rrjedhojë e asaj se informacionet nxjerrin në pah se për keqpërdorimin e kompetencave disa gjykatës kanë sjellë dënime minimale, kundrejt disa gjykatësve të tjerë, se për të njëjtit vetëm kanë shqiptuar dënime maksimale, nuk është në funksion të realizimit të reformave, sepse reformë nuk do të thonë dënime më të mëdha, por krijimi i mekanizmave për një sistem gjyqësor funksional dhe krijimin e kushteve që gjykatësit të sjellin vendime krejtësisht të pavarura”, vlerëson Caca- Nikollovska.
XS
SM
MD
LG