Ndërlidhjet

Obama: T’i jepet shans Iranit

  • RFE /RL

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, u ka bërë thirrje ligjvënësve amerikanë që t’i japin shans diplomacisë me Iranin, pasi marrëveshjet e arritura me të gjatë fundjavës i kanë hapur rrugën fuqizimit të marrëveshjes së përkohshme, më 20 janar.

Obama ka thënë se marrëveshja e përkohshme hap dyert e mundësisë.

Komentet e tij vijnë derisa ligjvënësit amerikanë kanë sinjalizuar mbështetjen për sanksione të reja kundër Iranit, me gjithë paralajmërimet se ato mund të dëmtojnë iniciativën diplomatike.

Obama ka thënë se nëse Irani dështon të veprojë në përputhje me marrëveshjen, e cila kërkon nga ai të ndalojë disa aktivitete bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare, ai do të mbështesë masa të reja ndëshkuese kundër Republikës Islamike.

Bashkësponsorët e legjislaturës në Uashington, e cila do të vendoste sanksione të reja kundër Iranit, thonë se marrëveshja e arritur në fundjavë, për të nisur zbatimin e marrëveshjes së përkohshme më 20 janar, e bën të vështirë për ata që duan sanksione të mëtejshme, për të tërhequr mbështetje.

Gjashtëmbëdhjetë demokratë të Obamës janë në mesin e bashkësponsorëve të masës, e cila kërkon shkurtime të mëtejshme në eksportet e naftës së Iranit.

Ky i fundit ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga negociatat për marrëveshje të plotë bërthamore nëse kundër tij miratohen sanksione të reja.

Obama po ashtu ka ftuar gjithë grupin demokrat të Senatit, të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, për një diskutim që pritet të përfshijë çështjen e diplomacisë me Iranin.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ka thënë se Uashingtoni këmbëngul që rruga diplomatike të lëvizë përtej marrëveshjes së përkohshme gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e përgjithshme me Iranin.

“Jemi shumë të sigurt se Teherani e di se dështimi për të vepruar në përputhje me angazhimet e tij në marrëveshjen e implementimit, ose dështimi për të arritur rezolutë të plotë, do të rezultojë me veprime nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar. Një nga arsyet përse nuk do të ndërmarrim aksione këtu në Shtetet e Bashkuara, përmes Kongresit, është se ato mund të kërcënojnë konsensusin ndërkombëtar, që kemi ndërtuar”, ka thënë Carney.

Fuqitë botërore dyshojnë se programi bërthamor i Iranit ka për qëllim krijimin e armës atomike. Por, Teherani këmbëngul se ai është tërësisht paqësor.

Në një tjetër zhvillim, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se ka ndërmend të pranojë ftesën për të vizituar Iranin në javët e ardhshme.

Ajo ka përshëndetur marrëveshjen e përkohshme dhe ka thënë se është e rëndësishme që tani të përkthehet në “gjëra praktike”.

“Është një marrëveshje e rëndësishme dhe shpresoj se do të na japë mundësinë të lëvizim përpara dhe të arrijmë një marrëveshje të plotë së shpejti”, ka thënë Ashton. (v.tela)
XS
SM
MD
LG