Ndërlidhjet

Gjatë vitit 2013 ka pasur rritje të investimeve ndërkombëtare dhe rritje të numrit të bizneseve të huaja të regjistruara në Kosovë, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit 2012, thonë zyrtarë qeveritarë.

Valdrin Lluka, udhëheqës një Agjencinë për Promovimin e Investimeve, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thotë se nga muaji janar deri në shtator të vitit 2013 vlera e investimeve ka arritur në 205 milionë euro, apo 15 për qind më tepër, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit 2012, ku shuma e investimeve të huaja ka qenë 178 milionë euro.

Lluka thotë se ky është lajm pozitiv rritjen e shumës së investimeve të huaja.

“Përveç formës së investimeve të huaja, ne analizojmë edhe të dhënat për regjistrimin e bizneseve të huaja në Kosovë. Në vitin 2012 kemi pasur 534 biznese të huaja të regjistruara, kurse në vitin 2013 kemi pasur të regjistruara gjithsej 694 biznese të huaja të regjistruara në vend. E cila tregon një rritje prej 30 për qind të bizneseve të huaja të regjistruara në Kosovë. Pra besoj se këto të dyja paraqesin një lajm pozitiv për lëvizjen e investimeve të huaja në vend", thekson Lluka.

Patundshmëria ka qenë sektori më atraktiv për investitorët e huaj edhe gjatë vitit të kaluar, thotë Lluka.

Sektorët të cilët kanë qenë atraktiv kanë mbetur po thuajse të ngjashëm, janë patundshmëria, energjetika, ndërtimtaria, sektori financiar dhe kështu më radhë. Mund të them se një rol të rëndësishëm të këtyre investimeve luan edhe diaspora shqiptare që janë jashtë Kosovës, të cilët vazhdojnë të investojnë në ndërtimtari dhe patundshmëri që Kosova ofron për momentin”, thotë Lluka për Radion Evropa e Lirë.

Turqia ka dominuar sa i përket investimeve të realizuara në Kosova gjatë vitit 2013, pasuar nga Gjermania, që viteve të pasluftës, sa i përket investimeve në tërësi, gjithnjë ka qenë e para.

Pastaj, vjen Zvicra, Shqipëria dhe Britania e Madhe.

Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se për rimëkëmbjen e situatën aktuale ekonomike, investimet e huaja janë qenësore.

Petrit Gashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, konsideron se autoritete kompetente duhet që të përmirësojnë kushtet që të rritet fluksi i investimeve për shkak se potenciali, sipas tij, ekziston.

“Janë shumë të rëndësishëm faktorët të cilët i njohim të gjithë ne, që janë të lidhur me ambientin e të bërit biznes në Kosovë, qofshin ata me legjislacionin, me zbatimin e ligjit, aspektet e qeverisjes në përgjithësi, apo ndryshe si thuhet kualitet i institucioneve. Por derisa ne kemi defekt në atë drejtim janë shumë relevantë rritja një apo dy për qind, etj.”, thotë Gashi.

Në anën tjetër, Valdrin Lluka, nga Agjencia për Promovimin e Investimeve, thotë se kanë ndërruar qasjet sa i përket tërheqjes se investitorëve të huaj.

Ai thekson se agjencia është duke aplikuar format e promovimit të shteteve që kanë treguar sukses sa përket tërheqjes se investimeve.

“Pra, në këtë vit jemi fokusuar në industri dhe kompani specifike. Faktikisht nuk do të ketë promovime të përgjithshme, por do të ketë promovime të targetuara në shtete të ndryshme. Për shembull ne e dimë se Gjermania është e interesuar në Kosovë dhe ne do të targetojmë këtë shtet. Mirëpo, vetëm në disa industri, ose tri apo katër industri që shteti gjerman është i fuqishëm dhe ka potencial të madh për të sjell investitorë në Kosovë”, shprehet Gashi.

Sidoqoftë, nga investimet e huaja në Kosovë, gjatë periudhës janar – gusht të vitit 2013, kanë arritur të punësohen 834 punëtorë. Numri më i madh prej tyre është punësuar në sektorin e ndërtimtarisë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG