Ndërlidhjet

Punë e rëndë drejt një bote pa armatim bërthamor


Përpjekjet nga Irani dhe Koreja Veriore për të pasur armatim atomik ishin në ballë të diplomacisë dhe shqetësimeve ndërkombëtare gjatë disa viteve të kaluara, dhe kjo ishte e arsyeshme, shkruan në fillim të editorialit të saj, e përditshmja Washington Post, duke theksuar se asnjëri vend nuk është ndalur në mënyrë të bindshme, megjithëqë Irani po bënë negociata.

Në rastet e tjera, ka pasur progres kah parandalimi i rënies së materialit bërthamor në duar të gabueshme.

Gazeta shkruan se Iniciativa e Kërcënimit Atomik (NTI), një organizatë joqeveritare, posa e ka publikuar botimin e dytë të indeksit të saj global për sigurinë e materialeve bërthamore, i përgatitur me ndihmën e Njësisë së Inteligjencës Ekonomiste.

Raporti tregon se, prej publikimit të studimit të parë në vitin 2012, shtatë vende – Austria, Republika Çeke, Hungaria, Meksika, Suedia, Ukraina dhe Vietnami – e kanë larguar pjesën më të madhe të materialit të përdorshëm për armatim atomik nga territori i tyre.

Tash, numri i vendeve me më tepër se një kilogram të materialit të këtillë ka rënë në 25, në krahasim me më tepër se 50 shtete, sa ishin para dy dekadash, shkruan Washington Post.

Indeksi tregon, po ashtu, se 13 shtete me më tepër se një kilogram të këtij materiali, i kanë reduktuar stoqet e tyre gjatë katër viteve. Në mesin e këtyre shteteve janë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Këtij lloji të rritjes së progresit zakonisht nuk i kushtohet kujdes i gjerë; tërheqja nga ky material i pasuruar në shkallë të lartë me uranium ose plutonium, zakonisht nuk shoqërohet me ndonjë ekspozim.

Nxitje për këtë ishin samitet e rregullta të sigurisë atomike, që filluan në vitin 2010, ku liderët bëjnë përkushtime dhe shumica prej tyre i zbatojnë ato. Samiti i ardhshëm mbahet në muajin mars në Holandë.

Megjithatë, para se çdokush të ofshajë në shenjë të lehtësimit, mbetet të bëhet edhe shumë punë. Katër vendet në fund të indeksit të Iniciativës së Kërcënimit Atomik, paraqesin shqetësim të vazhdueshëm: Koreja Veriore është krejtësisht e fundit, pasojnë Irani, India dhe Pakistani.

India dhe Pakistani, të cilat po i shtojnë rezervat e materialeve atomike, ende janë veçanërisht çështje shqetësuese, shkruan e përditshmja Washington Post.

Me gjithë pozitën e ulët në indeks, Pakistani është lavdëruar për përmirësimin e legjislacionit dhe rregulloreve për ashpërsim në mbrojtje fizike në vendet e materialeve atomike.

Megjithatë, studimi i thekson rreziqet për shkak të jostabilitetit në Pakistan, korrupsionit dhe “pranisë dhe kapaciteteve në territorin e tij të grupeve kriminale terroriste, të interesuara për sigurimin e paligjshëm të materialeve atomike”.

Me gjasë, gjetja më e rëndësishme në këtë studim nuk është e ndërlidhur me asnjë shtet të vetëm, por me mungesën e sistemit global të mbikëqyrjes.

Afro 2000 mijë tonelata të materialit atomik, që mund të shfrytëzohet për armatim, janë të shpërndarë nëpër botë, ndërsa “ende nuk ka sistem global efektiv se si materiali bërthamor të jetë i sigurt”, nuk ka standarde të përbashkëta globale ose praktika më të mira, e as mënyra se si të mbahen vendet përgjegjëse, theksohet në studim.

Ish-senatori, Sam Nunn, njëri nga kryesuesit e NTI-së, ka theksuar se ekzistojnë standardet strikte në fushat e tjera të një rëndësie të veçantë, përfshirë aviacionin, por jo për sigurinë e materialeve atomike.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore duhet të luaj rol në këtë aspekt, por ajo është e kufizuar nga mandati i saj dhe burimet.

Presidenti Obama njëherë kishte premtuar për t’i siguruar të gjitha materialet e ndjeshme atomike brenda katër viteve. Afati nuk do të arrihet, pasi kjo është lojë e gjatë dhe vështirësi e gjatë. Por, qëllimi mbetet i denjë, shkruan në fund të editorialit e përditshmja Washington Post.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG