Ndërlidhjet

Kikia: Vetëm në Qarkun e Shkodrës, 84 fëmijë të ngujuar


Ilustrim
Ilustrim
Vetëm në Qarkun e Shkodrës ka 84 fëmijë nën moshën 16 vjeç që janë të ngujuar, shumica prej tyre të lindur në ngujim. Shteti qëndron indiferent, ndonëse presioni i shoqërisë civile është në rritje, tha për Radion Evropa e Lirë, drejtuesi i organizatës Forumi i Mendimit të Lirë, Mentor Kikia.


RADIO EVROPA E LIRË
Fenomeni i gjakmarrjes vazhdon të jetë pjesë e jetës në Shqipëri. Në ç’përmasa është ky fenomen, aktualisht?

MENTOR KIKIA
Po t’iu referohemi shifrave, ka një rënie të këtij fenomeni, por druaj se kjo ka të bëjë me kurbës (v.j. shprehje nga matematika për rritjen progresive) së këtij fenomeni, pasi përgjithësisht kur i referohemi gjakmarrjes ne përqendrohemi te zonat veriore apo në Qarkun e Shkodrës.

Por, së fundmi fenomeni nuk është më “pronë” e zonave veriore të Shqipërisë, por si pasojë e lëvizjes së pakontrolluar demografike, fenomeni ka zbritur në periferinë e Tiranës dhe së shumti në periferi të Durrësit. Gjithashtu, shumë shtetas shqiptarë me heqjen e vizave, u larguan për në vende të ndryshme të Evropës, kryesisht në Britaninë e Madhe ose në vende nordike, si Suedia apo Norvegjia, duke kërkuar azil si familje të ngujuara. Një pjesë e tyre ishin familje të ngujuara, kurse një pjesë tjetër ka abuzuar duke kërkuar leje qëndrimi në emër të fenomenit të ngujimit.

Unë konstatoj që fenomeni përtej një kurbe paksa në rënie, vazhdon të jetë po aq agresiv dhe ajo që kemi konstatuar sipas një studimi të realizuar në Qarkun e Shkodrës në vitin 2013, është se vazhdojnë të jenë të ngujuara familje, të cilat janë “historikisht” të ngujuara, pasi janë familje që kanë të paktën nga 10 deri në 22 vjet të ngujuara, e që kanë konsumuar të gjitha fazat e për t’u pajtuar sipas traditës zakonore. Gjithashtu, ka një gjeneratë të tërë të rinjsh që janë lindur e janë rritur në kushtet e ngujimit e të izolimit në shtëpi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është numri i fëmijëve të ngujuar?

MENTOR KIKIA
Nëse do të tentojmë të flasim për shifra, gjithmonë do të gabojmë, sepse nuk ka asnjë statistikë të saktë nga asnjë institucion shtetëror për këtë fenomen që është në lëvizje.

Familje që kanë qenë në ngujim, arrijnë të pajtohen, familje të tjera përfshihen në konflikte, familje të tjera lëvizin vendbanimin e tyre brenda apo jashtë vendit për t’iu fshehur hasmërive, megjithatë me saktësi unë flas për Qarkun e Shkodrës, pasi sipas një studimi që kryem në vitin 2013, ishte një formë përditësimi i të dhënave që kishim siguruar në vitin 2010.

Aktualisht, në këtë qark bëhet fjalë për 84 të mitur, pra fëmijë që janë nën moshën 16 vjeç, dhe nën moshën e arsimit të detyruar shkollor, ku shumë prej tyre janë të lindur në kushtet e ngujimit, pra një fëmijë 16 vjeç që ka lindur ndërkohë që familja është e ngujuar dhe që ende nuk ka dalë të shijojë lirinë e plotë, si çdo fëmijë.

Këta fëmijë janë përgjithësisht të pashkolluar. Kemi testuar nivelin arsimor të këtyre fëmijëve dhe kemi konstatuar se shumica e tyre janë ose në kushte të analfabetizmit, ose me njohuri elementare në shkrim e lexim, edhe këto njohuri janë marrë në kuadër të një programi të drejtorisë arsimore që quhet “Shansi i dytë”, ku mësuesit shkojnë e u japin mësim këtyre fëmijëve në kushtet e shtëpisë.

Por, edhe kjo nismë nuk ka funksionuar në mënyrë ideale për t’u dhënë atyre mundësinë e një arsimimi normal.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria është një vend që aspiron të jetë kandidat i BE-së, politikanët tanë flasin për reforma, por në veri të Shqipërisë apo edhe në zona të tjera të saj, ka familje e fëmijë të ngujuar. Përse është kaq e vështirë që të zhduket ky fenomen në Shqipëri, kur nuk ekziston në asnjë vend tjetër?

MENTOR KIKIA
Zakonisht, për pyetje të tilla të forta thuhet “kjo është një pyetje një milionëshe”, por kjo është një pyetje “një miliardëshe”, pasi ka shumë propozime dhe ide se si mund të zhduket fenomeni i ngujimit dhe druaj se edhe ajo që unë di të them, nuk do të jetë përgjigja e duhur.

Ka ide që e lidhin këtë fenomen me traditën. Normalisht, është një produkt që lidhet me një traditë që nuk po çrrënjoset, që ka lidhje kanunore, por nuk ka të bëjë fare me Kanunin, pasi po t’u referohemi shumë prej krimeve që ndodhin sot në emër të gjakmarrjes, nuk do të duhej të ndodhnin.

Problemi më i madh është mosangazhimi serioz i strukturave të shtetit. Deri tani nuk ka pasur asnjë vullnet të qartë politik, pra nëse për një çështje të caktuar, për luftën kundër korrupsionit qeveritë kanë dalë hapur e kanë thënë se cilido që kryen korrupsion, do të përballet me drejtësinë, për çështjen e gjakmarrjes asnjë politikan nuk ka dalë haptas e të thotë që t’i bëjmë ballë këtij problemi e të gjejmë zgjidhjen e tij.

Qeveritë e politika e ka anashkaluar çështjen e gjakmarrjes me idenë, që ky fenomen na prish imazhin në sy të Evropës, na tregon si një popull mesjetar etj, por sado që janë përpjekur për ta neglizhuar, ky problem ka ekzistuar.

Përpjekja e shoqërisë civile apo shoqatave të ndryshme ka dhënë efekte, por disa prej tyre kanë degraduar në abuzime, të cilat kanë shkatërruar edhe atë traditë zakonore për ndërmjetësim e pajtim.

Ideja ime është që duhet t’i mëshohet shkollimit. Ky është një zinxhir që ka shekuj që funksionon, e që përcillet nga njëri brez te tjetri.

Kam takuar fëmijë të ngujuar 10-vjeçar që ngushëllonin nënën e tyre duke i thënë: “Prit, sa të rritem unë se do ta vras unë hasmin”… Ky fëmijë i ngujuar është duke paguar një krim që e ka bërë babai dhe destinacioni i tij është të bëhet si i ati, të bëhet vrasës.

Kemi rastin e një djali 17 vjeç që pas 15 vjetësh në ngujim, ditën e parë që doli në liri, teksa shkonte në një ceremoni në kishë në Malësinë e Madhe, vrau dy persona për një zënkë banale.

Pra, mendoj se që të zhduket gjakmarrja, duhet të zhduket një gjeneratë, jo fizikisht, por të shkëputet një hallkë e përçimit të gjakmarrjes që vazhdon prej shekujsh.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka iniciativa ligjore për të luftuar këtë fenomen?

MENTOR KIKIA
Me presionin që ka ushtruar shoqëria civile, në vitin 2005 Parlamenti atë kohë miratoi një ligj për krijimin e një Këshilli Koordinues, nën varësinë e Këshillit të ministrave për të luftuar gjakmarrjen, i cili fillimisht do të bënte identifikimin e të gjitha familjeve të ngujuara, e më pas do të trajtonte të gjithë bazën e praktikën ligjore për ta luftuar këtë fenomen, qoftë si fenomen kriminal, apo fenomen social dhe ekonomik.

Por, ndonëse ky ligj është miratuar, as nuk është fuqizuar, e as është zbatuar në asnjë nen të tij. Nuk është krijuar asnjë strukturë, nuk është miratuar asnjë akt nënligjor për ta bërë këtë ligj të zbatueshëm. Dhe, kjo është një nga dëshmitë kokëforta të mungesës së vullnetit të politikës e qeverive shqiptare për t’i dhënë zgjidhje fenomenit të gjakmarrjes.
XS
SM
MD
LG