Ndërlidhjet

Satter: Përse gazetarët e frikësojnë Putinin


Vladimir Putin
Vladimir Putin
Vendimi i Rusisë për të më shpallur person “non grata” (i padëshiruar) është më tepër se një aksion kundër një gazetari, shkruan në fillim të artikullit të tij në të përditshmen Wall Street Journal, gazetari amerikan, David Satter, i cili është edhe këshilltar i Radios Evropa e Lirë/Radio Liria.

Ai thekson se ky zhvillim është pranim se sistemi nën presidentin Vladimir Putin nuk mund të toleroj shprehje të lirë, bile edhe në rast të korrespondentit të jashtëm.

Megjithëqë, logjike e tyre është vështirë të shpjegohet, e gjithë dëshmia sugjeron se aksioni kundër meje ishte prioritet i lartë për autoritetet ruse, shkruan Satter.

Ai shton se “asnjë korrespondent amerikan nuk është dëbuar nga Rusia prej Luftës së Ftohtë, dhe aksioni erdhi para Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi, dhe i ndjek hapat e regjimit për ta përmirësuar imazhin e vet, përfshirë lirimin e të burgosurve të tillë, siç janë ish-shefi i kompanisë së naftës Yukos, Mikhail Khodorkovsky, pjesëtaret e grupit muzikor Pussy Riot dhe ekuipazhi i anijes së organizatës Greenpeace, Arctic Sunrise.

Gazetari David Satter në Wall Street Journal, shpjegon se aksioni, po ashtu, ishte ndërmarrë në mënyrë të paprecedente.

Gjatë Luftës së Ftohtë, kur korrespondentët ishin dëbuar, autoritetet sovjetike çdoherë ofronin shkakun. Për shembull, a gazetari Andrew Nagorski, i revistës Newsweek, ishte dëbuar në vitin 1982 për shkak se “kishte luajtur rolin” e korrespondentit sovjetik.

Në rastin tim, shkruan më tutje Satter, autoritetet nuk dhanë arsye. Në një deklaratë të lexuar para meje nga një diplomat në Ambasadën e Rusisë në Kiev të Ukrainës, ku isha duke pritur për vizë të re ruse, u tha se “organet kompetente”, që është term i zakonshëm për shërbimet e sigurisë, kanë vendosur se prania ime në territorin e Federatës Ruse është e padëshiruar. Ky është një formulim, që përdoret në rastet e spiunëve dhe nënkupton se unë nuk jam konsideruar si irritues, por si kërcënim, shkruan Satter.

Autoritetet kanë arsye që gazetarët e jashtëm t’i shohin në mënyrë jo të qetë. Presidenti Putin dhe një grup i vogël i miqve të tij kanë ushtruar jo vetëm fuqi të pasfiduar politike në Rusi, por edhe kontroll ndaj pasurive më të vlefshme ekonomike të vendit. Sistemi, të cilin ata e kryesojnë, është aq i korruptuar sa pa çmimet e larta aktuale të naftës dhe gazit, do të ballafaqohej me shkatërrim të menjëhershëm, shkruan gazetari Satter në Wall Street Journal.

Satter shkruan se sistemi Putin, nuk është i qetë lidhur me pyetje të pa përgjigje nga e kaluara, përfshirë rastin Beslan, në vitin 2004, kur në masakrën e shkollës u vranë 334 persona të zënë peng, shumica prej tyre fëmijë, pasi forcat e sigurisë së Rusisë depërtuan në lokalin ku mbaheshin pengjet, pastaj atë të vrasjes së kundërshtarëve politikë të regjimit të Putinit, Alexander Litvinenko, Anna Politkovskaya dhe Natalya Estemirova.

Por, më e rëndësishmja është çështja se kush është përgjegjës për sulmin me bomba në vitin 1999 në apartamentin në Rusi, që shërbente si pretekst për luftën e dytë të Moskës kundër ish-republikës sovjetike të Çeçenisë.

Sulmet me bomba e terrorizuan gjithë Rusinë. Autoritetet ruse i fajësuan çeçenët, por kur një bombë e paeksploduar ishte zbuluar në themel të një ndërtese, terroristët u zunë dhe u dëshmua se ishin agjentë të Shërbimit të Sigurisë Federale (FSB) që është pasardhëse e KGB-së së vjetër.

Kur, arrita në Moskë, në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar, qëllimi im ishte të shkruaj dhe ta këshilloj Shërbimin për Rusinë të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, që është radio e themeluar nga Shtetet e Bashkuara, që e ka mbrojtur lirinë në Bashkimin Sovjetik, duke raportuar lajme dhe informacione të tjera të pancensuruara gjatë Luftës së Ftohtë.

Kam sugjeruar zgjerim të raportimit investigativ të këtij shërbimi. Kjo do të thotë se do të shikohej korrupsioni, që është tregimi më i madh dhe më së paku i raportuar në Rusi, shkruan pos tjerash, gazetari David Satter, në Wall Street Journal.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG