Ndërlidhjet

Satter mund të apelojë vendimin e dëbimit nga Rusia


David Satter
David Satter
Shërbimi Federal i Migracionit në Rusi ka thënë se gazetari amerikan, David Satter, ka të drejtë të apelojë vendimin që e ndalon atë nga hyrja në këtë vend për pesë vjetët e ardhshëm.

Zëvendësshefi i këtij shërbimi, Dmitry Demidenko, u ka thënë gazetarëve se Satter ka qenë në Rusi në fund të nëntorit pa vizë valide dhe “me këtë ka shkelur rregullat e qëndrimit të tij”.

Ai ka thënë se rregullorja e re, që ka hyrë në fuqi në muajin gusht, përcakton dëbimin administrativ si sanksionim të vetëm të mundshëm.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se është “i zhgënjyer” me vendimin e Moskës.

Satter, 66 vjeç, ka jetuar dhe punuar në Rusi qysh në shtator të vitit 2013 si këshilltar i shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë.

Satter, i cili ka lënë Rusinë dhe ka kaluar në Ukrainë në fillim të dhjetorit, ka riaplikuar për vizë ruse në Kiev.

Ai ka thënë se ka marrë njoftim se kërkesa i është miratuar, porse më vonë i është thënë se prania e tij në Moskë konsiderohet “e padëshirueshme”.
XS
SM
MD
LG