Ndërlidhjet

Vritet një këshilltar i Mitrovicës Veriore


Në orët e para të së enjtes, në veriun e Mitrovicës është vrarë këshilltari në Komunën e Mitrovicës Veriore, Dimitrije Janiçijeviq.

Ai është vrarë para shtëpisë së tij, në veri të Mitrovicës dhe lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskomandanti rajonal i policisë në veri, Besim Hoti.

“Stacioni i Policisë së Kosovës ka marrë informacionin e parë, lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, diku 30 minuta pas mesnatës së ditës së sotme. Ndërsa, në vend të ngjarjes kanë reaguar të gjitha njësitë përkatëse për zhvillimin e procedurës hetimore".

"Prokurori i rastit ka qenë në vend të ngjarjes dhe ka autorizuar veprimet e policisë në rastin e kategorizuar si vrasje e rëndë. Bëhet fjalë për Dimitrije Janiçijeviq, i cili vesohet se është qëlluar disa herë nga armë zjarri. Besohet të ketë qenë armë me tytë të shkurtë, e kalibrit 9 mm. Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës pa shenja jete”, tha Hoti.

Hoti ka sqaruar se trupi i pajetë i Janiçijeviqit është dërguar në Institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë për obduksionin, i cili duhet të kryhet gjatë ditës së sotme.

Sipas tij, Policia e Kosovës së bashku me një ekip të task forcës hetimore të EULEX-it janë duke punuar në mbledhjen e provave dhe dëshmive, si dhe për gjetjen e dëshmitarëve të mundshëm të këtij akti kriminal.

Drejtori i Qendrës shëndetësore në Mitrovicën e veriut, Milan Ivanoviq, ka konfirmuar se Janiçijeviq është sjellë në këtë qendër 42 minuta pas mesnatës, pa shenja jete dhe me plagë të shumëfishta në pjesën e gjoksit dhe barkut, të shkaktuara nga armë zjarri

“Kemi provuar ta bëjmë reanimimin dhe kjo ka zgjatur më shumë se gjysmë ore. Por, pa sukses dhe vdekja e tij zyrtarisht është konstatuar në orën 1 e 30 minuta”, theksoi Ivanoviq.

Zëvendëskomandanti Hoti ka thënë se policia ende nuk ka të dhëna për motivin e vrasjes, por siç ka theksuar ai, të gjitha pistat e hetimit janë të hapura dhe po punohet në to.

“Policia e Kosovës, zyrtarisht, ende nuk ka përcaktuar një motiv të mundshëm të këtij rasti. Por, gjithsesi, të gjitha pistat e hetimeve janë të hapura, për faktin se i njëjti, disa herë, kohëve të fundit, fatkeqësisht ka qenë cak i sulmit, me mjete të ndryshme, eksploduese por edhe me armë zjarri. Por, kryesisht kanë qenë cak i sulmit objektet dhe lokali i tij. Ndërsa, rasti i sulmit të fundit, fatkeqësisht, ka përfunduar tragjikisht”, u shpreh Hoti.

Ndryshe, Dimitrije Janiçijeviq ka qenë edhe kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore nga Lista e Partisë së Pavarur Liberale, në zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën në Kosovë, si dhe këshilltar komunal në Kuvendin e sapoformuar të Komunës së Mitrovicës së veriut.

Janiçijeviq, ka qenë 35 vjeç dhe baba i tre fëmijëve.

Ndaj vrasjes së Janiçijeviqit kanë reaguar Partia e Pavarur Liberale, pjesë e së cilës ka qenë ai, si dhe institucionet e larta të vendit.

Partia e Pavarur Liberale ka dënuar ashpër vrasjen e Janiçijeviqit dhe u ka bërë thirrje organeve kompetente “që në afat sa më të shkurtë të gjenden dhe dënohen autorët e krimit qyqar”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga gjithashtu e ka dënuar dënon fuqishëm vrasjen e këshilltarit të Asamblesë së Mitrovicës së Veriut nga Partia e Pavarur Liberale dhe e ka cilësuar si “akt qyqar që ka për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe frikësimin e qytetarëve”.

Në komunikatën lidhur me këtë rast presidentja Jahjaga “kërkon nga organet e rendit që të marrin të gjitha masat për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij akti dhe për të sjellë përpara drejtësisë kryesit e kësaj vepre”.

Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu përmes një komunikate ka dënuar vrasjen e Janiçijeviqit, duke e cilësuar si “një akt të rëndë dhe qyqar” dhe “të dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Vrasja e Janiçieviqit është vlerësuar nga Qeveria e Kosovës si “një sulm i drejtpërdrejtë kundër vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe kundër vendosjes së sundimit të rendit, ligjit dhe institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës”.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e kësaj vrasjeje të nxirren para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Samuel Zhbogar, është shprehur i shokuar i me lajmin e vrasjes së Janiçijeviq, në një komunikatë për media ai kërkuar që autorët të sillen para drejtësisë dhe të dënohen.

“Sa herë që humbet një jetë, ne duhet të ndjejmë dhembshuri. Por në një situatë aq komplekse siç është tani në veri të Kosovës, në momentin kur po formohen institucione tërësisht legjitime dhe demokratike, një vrasje e tillë duhet të dënohet dhe nuk duhet të mbes e pazgjidhur”, ka theksuar Zhbogar në komunikatën për media.

Ai gjithashtu ka shtruar se “përdorimi i çfarëdo dhune për ta ndërprerë ndryshimin politik apo për t'ju konfrontuar një situate komplekse sociale është e papranueshme”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG