Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Në Senat u diskutua për krizën në Ukrainë

  • RFE /RL

Komiteti i Senatit të Shteteve të Bashkuara për punë të jashtme,të mërkurën vonë ka diskutuar për krizën politike në Ukrainë, një ditë pasi një gjykatë në këtë vend e ka ndaluar mbajtjen e protestave masive në pjesën qendrore të kryeqytetit Kiev.

Në këtë pjesë të qytetit mijëra njerëz kanë marrë pjesë në demonstratat kundër qeverisë prej fundit të nëntorit të vitit të kaluar.

Gjykata në Kiev është pajtuar me kërkesën e zyrtarëve të qytetit për t’i ndaluar tubimet deri më 8 mars.

Ky vendim ka shkaktuar shqetësime në mesin e atyre që ende po demonstrojnë, meqë së shpejti do të mund të arrinte policia për ta shkatërruar kampin e tyre.

Mijëra njerëz mbesin në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, ku kishin filluar protestat kundër presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, për shkak të vendimit të tij për të mos e nënshkruar një marrëveshje për afrim me Bashkimin Evropian, por kishte ndërmarrë hapa për lidhje më të afërta me Rusinë.

Protestat e mëparshme, në të cilat kishin marrë pjesë qindra mijëra njerëz, i kanë vizituar zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe ata të Shteteve të Bashkuara.

Në Uashington, ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, i tha komitetit të Senatit se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që kriza politike në Ukrainë të zgjidhet pa dhunë të mëtejshme nga policia ose demonstruesit.

“Ashtu sikur shumica e ukrainasve, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian, dëshirojnë të shohin që mospajtimet e tashme të zgjidhen politikisht, në mënyrë demokratike, dhe para se gjithash, në mënyrë paqësore. Kjo pika e fundit ka të bëjë me qeverinë dhe protestuesit dhe ne i dënojmë aksionet e trazuesve jashtë ndërtesës së gjykatës në Kiev, më 10 janar".

"Megjithatë, përdorimi i dhunës dhe aktet e represionit të kryera nga forcat e sigurisë së qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tyre, na kanë shtyrë që ta bëjmë publikisht dhe privatisht të qartë për qeverinë e Ukrainës, se ne do të shqyrtojmë një rreze të gjërë të mjeteve në dispozicion, nëse ata në pozita në autoritetet e Ukrainës, angazhohen ose inkurajojnë dhunë kundër shtetasve të vet”, tha Victoria Nuland.

Senatori Robert Menendez, demokrat, që e kryeson Komitetin për punë të jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, tha se administrata e presidenti amerikan, Barack Obama, ka dështuar ta kritikoj në mënyrë “të hapur dhe të fuqishme” Rusinë për përdorim të detyrimit ekonomik kundër Ukrainës.

Por, këto akuza i ka hedhur poshtë Victoria Nuland.

“Ne e kemi bërë të qartë vazhdimisht, si publikisht ashtu edhe privatisht, se aksionet e detyrimit nga ana e Rusisë, jo vetëm kundër Ukrainës, por, poashtu, kundër Moldavisë dhe Gjeorgjisë, paraqesin shkelje të shumë marrëveshjeve, që ata i kanë bërë, përfshirë edhe parimet e Helsinkit dhe në disa raste obligimet në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë, dhe ne do të vazhdojmë të jemi absolutisht të qartë lidhur me këtë çështje”, tha Victoria Nuland.

Senatori republikan, John McCain, i cili në muajin dhjetor kishte qenë në Kiev, për të shprehur mbështetje për protestuesit, e ka fajësuar Rusinë për krizën në Ukrainë.

“Ky është vend, që dëshiron të jetë evropian. Ata nuk dëshirojnë të jenë rusë. Kjo është ajo që po ndodhë atje. Kjo është ajo se çka do të thotë Evropa për ta. Rusët e kanë shfrytëzuar energjinë. Ata i kanë ndaluar edhe çokollatat. Ata kanë bërë kushtëzime ekonomike. Ata e kanë mbështetur korrupsionin, që është i madh në Ukrainë”, tha McCain.

Zëvendës-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Thomas Melia, gjatë dëgjimit në Senat,thase “zjarri që i ka shkaktuar protestat në fund të nëntorit, ende është aktiv dhe nuk do të fiket lehtë”.

Melia tha se Uashingtoni do të vazhdoj të japë mbështetje për ata ukrainas që besojnë në të ardhmen demokratike evropiane për vendin e tyre. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG