Ndërlidhjet

Kosovë: Synohet marrëveshje e re me FMN-në


Kosova ka kërkuar bisedime me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për programin e ri parandalues, por me gjasë nuk do të ketë nevojë për tërheqje të çfarëdo fondi, ka thënë shefi i misionit të FMN-së në Kosovë, Jacques Alain Miniane.

Marrëveshja e mëparshme stand-by 30 mujore, që ishte e para prej se Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, ka përfunduar muajin e kaluar. Ajo ishte në vlerë prej 107 milionë eurosh.

“Këtë kërkesë të qeverisë ne e marrim shumë seriozisht, dhe do t’i kushtojmë asaj konsideratë maksimale dhe ne po mendojmë për një mision negociues programor formal në maujin mars”, tha zoti Miniane, sot në një konferencë për shtyp në Prishtinë.

Sipas tij “qeveria ka sinjalizuar synimin që programi të jetë parandalues, pra në këtë shkallë nuk ka nevoja financiare, nuk ka nevoja buxhetore ose të jashtme, të cilat qeveria ose shteti nuk mund t’i financoj me forca të veta”.

Zoti Miniane nuk ka thënë se çfarë vlere mund të ketë marrëveshja e re, por një zyrtar i Kosovës i ka thënë agjencisë Reuters se ajo mund të jetë në vlerë prej afro 100 milionë euro.
XS
SM
MD
LG