Ndërlidhjet

Përveç mungesës së reshjeve atmosferike, të cilat kanë ndikuar në mungesën e furnizimit me ujë të pijes për një pjesë të madhe të popullatës së Kosovës, sipas njohësve të problematikave të ujit në Kosovë, kjo gjendja ka ardhur edhe si pasojë e mungesës së investimeve në këtë drejtim.

Shumë komuna të Kosovës kanë hyrë në një fazë emergjente të furnizimit me ujë të pijes. Liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit thuhet të kenë sasi të ujit vetëm edhe për tre muaj.

Në Liqenin e Batllavës niveli i ujit ka rënë mbi 12 metra, gjendje e njëjtë paraqitet edhe në Liqenin e Badovcit.

Nga këto dy liqene, me ujë furnizohen komuna e Prishtinës, komuna e Obiliqit dhe komuna e Podujevës. Derisa, problem me furnizim me ujë, aktualisht nuk ka komuna e Gjakovës dhe Rahovecit, të cilat furnizohen nga sistemi i Radoniqit.

Çaush Bajrushi, njohës i problematikave të ujit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë konsideron se Kosova është vonuar në marrjen e iniciativave konkrete për ndërtimin e sistemeve të akumulimit të ujit.

“E vetmja zgjidhje afatgjate për furnizim me ujë të pijshëm me sasi të mjaftueshme është krijimi i akumulimeve të reja, janë të identifikuara disa pika në Kosovë ku mund të ndërtohen akumulimet siç janë në territorin e Podujevës, Skenderaj, Pejë dhe nga sistemi i Lepencit. Sistemi i Ibër Lepencit, ky akumulim e ka dokumentacionin teknik të gatshëm që mundet shumë shpejt të fillojë ndërtimi i tij”, bën të ditur Bajrushi.

Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kishin vendosur në prioritet ndërtimin e sistemeve të akumulimit të ujit, gjë e cila, siç thotë ai, ka qenë më se e domosdoshme.

“Mjete të mëdha materiale nuk nevojiten për të përpiluar dokumentacionin teknik, pasi që pa dokumentacion nuk mund të bëhet asgjë. Ne jemi vonuar shumë dhe duhet ditur njëherë e përgjithmonë se cilat janë ato investime që kanë përparësi. Uji i pijes duhet ditur që ka përparësi numër një. Është një thënie që tregon se ai që siguron ujë të mjaftueshëm me kualitet të duhur e ka siguruar edhe 50 për qind të shëndetit të popullatës”, shton Bajrushi.

Kompania e Ujësjellësit rajonal “Prishtina” tashmë ka filluar të intensifikojë punën dhe të ndërmarrë hapa konkretë rreth gjendjes së krijuar me furnizim të ujit të pijes.

Zëdhënësja e kompanisë rajonale ujësjellësi, Arjeta Mjeku, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se që nga java e ardhshme do të zvogëlojnë prodhimin e ujit që vjen nga liqenet akumuluese Batllava dhe Badovci. Kjo sipas, Mjekut, nënkupton se do të ketë reduktime të ashpërsuara të ujit.

“Me këto rezerva që i kemi momentalisht, ujë ka vetëm edhe për tre muaj. Sot kompania e Ujësjellësit rajonal është duke punuar intensivisht dhe nga drejtoria teknike, jemi duke planifikuar që ta zvogëlojmë prodhimin e ujit nga të dy liqenet, ai i Badovcit dhe ai i Batllavës, në mënyrë që rezervat që i kemi planifikuar për tre muaj, t’i zgjasim në pesë muaj”, bën të ditur Mjeku.

Për qytetarët e Prishtinës, furnizim të rregullt me ujë, sipas Mjekut, nuk do të ketë deri në vitin 2016, kur përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj.

Fabrika parashihet të ketë kapacitete përpunuese për fazën e parë deri në 700 litra për sekondë. Kjo sasi do të jetë e mjaftueshme për të mundësuar furnizim të rregullt për 24 orë pa ndërprerje.

“Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që jetojnë në ndërtesa kolektive dhe shtëpi private, që t’i rregullojnë pajisjet sanitare në mënyrë që të mos ketë humbje teknike të ujit. Vetëm në këtë mënyrë dalëngadalë ne mund të shkojmë në stabilizim të ujit të pijshëm. Por, vetëm viti 2016 mund do t’i gjejë qytetarët e Kosovës me ujë 24 orë pandërprerë”, tregon Mjeku.

Një problem i vazhdueshëm që e ka përcjellë kompaninë e Ujësjellësit rajonal “Prishtina”, është borxhi që konsumatorët i kanë kësaj kompanie. Borxhi i përgjithshëm i gjithë konsumatorëve në zonën e shërbimit që nga pas lufta deri më tani, është mbi 51 milionë euro.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG