Ndërlidhjet

Mbajtja e zgjedhjeve lokale në komunat e veriut të Kosovës dhe konstituimi i institucioneve komunale atje, nuk nënkupton se integrimi i komunitetit serb që jeton atje nën ombrellën institucionale të Kosovës, është punë e kryer, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Ata thonë se tash për tash është bërë vetëm hapi i parë apo krijimi i kushteve të para që mund të çojnë drejt këtij integrimi të mundshëm.

Analisti i çështjeve politike, Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se organizimi i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, është një fakt që tregon se është thyer trendi i një ndarjeje të thellë që kanë pasur serbët në veri karshi institucioneve të Prishtinës.

Megjithatë, sipas tij, ende ekzistojnë dilema të mëdha nëse ky hap paraqet uverturën e suksesshme për integrimin e veriut, për faktin se, siç thotë ai, pjesëmarrja në votime e 22 për qind të serbëve në veri ka qenë e sforcuar, jo e vullnetshme dhe nën presionin e institucioneve serbe, prej ku kanë marrë pagat.

Gjithçka, megjithatë, që është bërë në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave dhe dy qeverive (të Kosovës dhe të Serbisë), është e imponuar mbi popullatën serbe në veri, sepse ajo nuk e do integrimin dhe nuk dëshiron të jetojë nën Kosovën. Mirëpo, një pjesë e madhe ka pranuar zgjidhjen e ofruar nga Qeveria e Serbisë për ta dhe një pjesë tjetër, edhe më e madhe në numër, vazhdon të kundërshtojë integrimin dhe do t’i rezistojë integrimit”.

“Ky proces i integrimit, për komunitetin serb atje, do të thotë integrim në institucionet e Kosovës me një lloj identiteti politik, por ata nuk do të integrohen në jetën shoqërore të Kosovës për shumë vjet, e ndoshta asnjëherë. Ky është një realitet, me të cilin duhet të ballafaqohemi”,
vlerëson Rashiti.

Analisti Rashiti shton se përmes një komunikimi më të madh të serbëve të veriut me Prishtinën, integrimi i tyre do të mund të sforcohej. Por, siç thekson ai, nuk duhet pritur që komunat veriore do të mund të integrohen ndonjëherë në të njëjtën mënyrë siç janë integruar komunat me shumicë serbe në jug të Kosovës.

Edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Ardian Arifaj, vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri, është vetëm hapi i parë në krijimin e mundësive për integrimin e serbëve të atjeshëm nën ombrellën e institucioneve të Kosovës.

“Por, a do të ndodhë kjo apo jo, nuk varet vetëm nga këta hapat e parë, por ka për t’u varur edhe nga hapat që kanë për t’u ndërmarrë në të ardhmen. E para që mund të themi dhe që është e mirëseardhur, është që disa herë kemi dëgjuar nga autoritetet në Prishtinë, të cilat e pranojnë se integrimi nuk mund të bëhet me dhunë, por duhet të bëhet ashtu që Kosova të bëhet atraktive, edhe për komunitetin serb që jeton në pjesën veriore të vendit. Pra, ta shohin ata edhe vetë një dobi nga të qenët pjesë e shtetit të Kosovës”, shprehet Arifaj.

Sipas Arifajt, Beogradi zyrtar deri më tash ka qenë një nga faktorët kryesor që kanë ndikuar për mosintegrimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës.

Procesi i dialogut Kosovë - Serbi, sipas tij, ka bërë që Beogradi të mos jetë agresiv ashtu siç ka qenë më parë në pengimin e integrimit të serbëve të veriut.

Por, ndryshe mendon Rashiti.

Sipas tij, integrimin e serbëve të veriut e bëjnë edhe më të vështirë pikërisht marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai shpreh mendimin se janë tejet të ngutshme konkludimet e faktorëve ndërkombëtarë se në normalizimin e marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve është bërë progres i madh. Nëse ky normalizim nuk përmbyllet për disa vjet, sipas Rashitit, mund të ndodhin procese të tjera.

Naim Rashiti

Naim Rashiti

“Në mesin e shqiptarëve ka shumë frikë që aranzhimet e tanishme janë të përkohshme, sepse në momentin kur do të negociohet për normalizim të plotë me Serbinë dhe njohje reciproke, do të kërkohen edhe aranzhime shtesë për serbët e Kosovës”.

“Në anën tjetër, serbët e Kosovës, në veçanti në veri, e shohin se kjo është e përkohshme, për të dëshmuar se qytetarët nuk duan të integrohen. Disa në Beograd e mendojnë me sinqeritet se kjo është një zgjidhje e përkohshme dhe në faza më të vonshme duhet të ketë një aranzhim tjetër. Nëse dinamika e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, nëse dialogu ecën shpejt, të gjitha këto dilema do të eliminohen në proces”, thekson Rashiti.

Megjithatë, analisti Arifaj thotë se pjesëmarrja jo e madhe e serbëve të veriut në zgjedhjet komunale, është argument relativ për dilemat lidhur me integrimin e mundshëm të veriut të vendit.

“Kemi parë që komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës, nuk ka pasur pjesëmarrje të madhe as në zgjedhjet që i ka organizuar shteti i Serbisë. Pra, e para, kemi të bëjmë me një zhgënjim me gjendjen e tyre në përgjithësi, por edhe me ofertën që atyre u ofron edhe Kosova, por edhe Serbia”.

“Në anën tjetër, kemi parë që ka edhe rezistencë ndaj ndryshimit, por nuk është ende e qartë nëse kjo rezistencë vjen nga i tërë komuniteti, nga tërë qytetarët, apo vetëm nga një grup i vogël i njerëzve, të cilëve nuk iu konvenon kurrfarë ndryshimi”
, potencon Arifaj.

Ndryshe, sipas njohësve të zhvillimeve politike në vend, tash për tash në veri është thelluar edhe më shumë hendeku i pasigurisë, për shkak se gjykatat paralele serbe janë eliminuar, ndërkohë që gjykatat kosovare atje nuk janë në funksion.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG