Ndërlidhjet

Maqedoni: Ndryshimet në Kodin zgjedhor, shans për zgjedhje të lira


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Marrëveshja e arritur ndërmjet partive politike për ndryshimet në Kodin zgjedhor, paraqet shans që fushata e partive dhe rezultati i zgjedhjeve në të ardhmen, të mos jenë objekt i polemikave dhe i kontestimit nga subjekte të caktuara politike, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike dhe politike.

Vlerësimet e tyre vijnë pasi këtë marrëveshje e kanë pranuar të gjitha partitë politike, me përjashtim të PDSH-së opozitare, për shkak të, siç ka deklaruar, mungesës së dialogut të mirëfilltë dhe dëmit që do të ketë vota shqiptare.

Mersim Maksuti, ligjërues i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës thotë se me rëndësi është që kjo marrëveshje të zbatohet, pasi edhe kjo mund të përjetojë fatin e shumë marrëveshjeve të ngjashme, siç është edhe ajo e fundit për incidentin në Kuvend, e cila është arritur madje me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, por që ende nuk ka gjetur zbatim në praktikë.

“Pa dyshim se arritja e kësaj marrëveshjeje është për t’u përshëndetur, por sfida më e madhe mbetet respektimi i saj që të mos përjetojë fatin e marrëveshjeve tjera, të cilat janë arritur para zgjedhjeve, por në fakt kanë mbetur të pazbatuara në praktikë”, thotë Maksuti.

Ndryshimet në Kodin zgjedhor, veç tjerash parashohin ndarjen e partive nga pushteti, pra, ajo u ndalon zyrtarëve aktivitete promovuese gjatë fushatës. Harxhimi i mjeteve buxhetore do të jetë transparent, ndërsa donacionet do të jenë të kufizuara deri në 50 mijë euro.

Ndryshimet parashohin që për shkelësit e këtyre e pikave të marrëveshjes të ketë dënime me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet. Po ashtu, është rregulluar edhe çështja e reklamimit në media dhe prezantimi i barabartë i subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.

Po ashtu, ndryshimet thuhet se janë në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe të Bashkimit Evropian ku Maqedonia synon të anëtarësohet.

Një nga kriteret që duhet të plotësojë Maqedonia në procesin e integrimit në Bashkimit Evropian, pa dyshim, që është organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe paqësore, edhe pse në fund të fundit, se çfarë zgjedhje do të kemi, varet nga gjithë faktorët që marrin pjesë në organizimin e zgjedhjeve”, shprehet Maksuti.

Nikolla Dujoski, analist politik dhe profesor në Universitetin e Shkupit, thotë se rasti i fundit me Kodin zgjedhor është edhe një dëshmi se partitë, nëse duan mund të arrijnë marrëveshje edhe për çështjet madhore, por këtë nuk e bëjnë meqë në agjendën e tyre nuk janë interesat madhore të shtetit, por ato personale dhe partiake.

“Marrëveshjet janë të mundshme edhe për çështje më të mëdha, por më duhet të them se shoqëria jonë, e para së gjithash, politikanët tanë nuk janë të gatshëm për këtë. Konsideroj se në Maqedoni edhe për një kohë të gjatë partitë do të bëjnë marrëveshje në bazë të interesave të tyre partiake dhe jo të shtetit”, konsideron Dujoski.

Ai vlerëson se për momentin është me rëndësi që kjo marrëveshje të zbatohet, meqë nëse ndodhë e kundërta, kjo edhe më tepër do të rëndonte procesin e integrimit të vendit.

Marrëveshja për Kodin zgjedhor u arrit në prag të shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, të cilat duhet të organizohen deri në fundit të muajit mars apo në fillim të prillit, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që paralelisht me presidencialet, të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG