Ndërlidhjet

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka dhënë një vlerësim tjetër nga pritjet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me nënshkrimin dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.

Përderisa Qeveria edhe zyrtarisht është deklaruar se kjo Marrëveshje do të nënshkruhet gjatë pranverës së këtij viti, Grupi për Studime Juridike e Politike vlerëson se nënshkrimi mund të ndodhë gjatë pjesës së dytë të vitit dhe ratifikimi, pas një viti.

Duke prezantuar të gjeturat e një studimi rreth MSA-së, Dren Doli nga ky Grup ka thënë se marrëveshja që i është ofruar Kosovës, është ndryshe me ato që u janë ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“MSA-ja që po i ofrohet Kosovës do të jetë marrëveshja e parë formale që Kosova do të nënshkruajë me Bashkimin Evropian”, dhe në këtë kuptim, ka thënë Doli, ajo ka një rëndësi të veçantë në formalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Mirëpo, ai ka shprehur besimin e tij se ratifikimi nuk do të ndodhë gjatë kësaj pranvere.

“Së fundi kemi dëgjuar nga Qeveria dhe zyrtarët e saj që MSA-ja me Kosovën do të nënshkruhet dhe do të përfundojë në pranverë të këtij viti. Një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Kosova, në pranverë të këtij viti do të iniciojë MSA-në. Nënshkrimi do të ndodhë në pjesën e dytë të vitit dhe ratifikimi i MSA-së me Kosovën, për shkak të procedurave të brendshme të BE-së dhe sipas planit të Komisionit Evropian, do të ndodhë vetëm në pranverën e vitit të ardhshëm apo në qershorin e vitit 2015”, ka theksuar Doli.

Ndërkohë, Erza Pula, e cila prezantoi studimin e këtij Grupi në lidhje me MSA-në, ka vlerësuar se Marrëveshja me BE-në, do t’i sjell Kosovës përfitime në periudhën afatgjate.

Sipas saj, nëse Qeveria e Kosovës krijon politika të mira ekonomike, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, në periudha më të gjata kohore, mund të ndihmojë të arrihen disa përparime në zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e papunësisë.

“Marrëveshja, si e tillë, do ta bëjë hapjen e tregut në periudhën afatgjate. Kjo do të thotë një mundësi sa më e madhe për prodhuesit kosovarë që të lansojnë dhe thjesht të eksportojnë sa më shumë nga produktet e tyre”, ka thënë Pula.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit paraqet vetëm hapin e parë që shtetet kalojnë në rrugën e tyre të gjatë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ajo i është ofruar Kosovës nga Brukseli pas përmbylljes së disa reformave, të cilësuara afatshkurta të përcaktuara në studimin e fizibilitetit. Kurse, vendimi politik i vendeve anëtare të BE-së për lansimin e MSA-së për Kosovën ishte marrë pasi që pala kosovare ishte vlerësuar se kishte treguar një rol konstruktiv në dialogun me Serbinë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG