Ndërlidhjet

Jordania e gatshme t’i trajnojë irakianët


Ilustrim
Ilustrim
Jordania shprehet e gatshme që të jetë mikpritëse e një programi të Shteteve të Bashkuara për të trajnuar ushtarët irakian, në luftimin e militantëve të Al-Kaidas në fqinjësi, ka thënë të dielën një ministër i kabinetit në Amman.

Komentet e tij vijnë në kohën kur forcat irakiane janë të përfshira në një betejë me militantët anti-qeveritar të cilët kontrollojnë pjesë të krahinës Anbar, që gjendet në perëndim të Bagdadit.

"Jordania mirëpret pozitivisht kërkesën e ShBA-së që t’i ndihmoj dhe trajnoj forcat irakiane në territorin e saj”, ka thënë ministri për informimi Mohammad Momani, në një prononcim për gazetën shtetërore Al-Rai.

“Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit të përhershëm ndërmjet të Jordanisë, Irakut dhe Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit në rajon”, ka shtuar ministri.

Kryeministri irakian Nuri al-Maliki ka kërkuar nga ShBA-të që ta ndihmojnë ushtrinë irakiane që të luftojë kundër ekstremistëve islamist, që fajëson për sulmet e shpeshtuara vdekjeprurëse në Irak.

Washingtoni zyrtar ka pranuar këtë kërkesë dhe pret që Jordania t’i lejoj ta shfrytëzojë territorin e saj për këto trajnime.

Mirëpo, ShBA-të nuk do të dërgojnë trupa ushtarake në Irak.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë në krye të pushtimit të Irakut në vitin 2003, për të përmbysur diktatorin Saddam Hussein.

Ushtria amerikane është larguar nga ky shtet më 2011, pasi nuk arriti që të arrij një marrëveshje me Bagdadin për t’i siguruar ushtarët amerikan me mbrojtje ligjore për veprimet që kryejnë gjatë detyrës në këtë shtet.
XS
SM
MD
LG