Ndërlidhjet

Operacione policore në Prishtinë e Gjakovë - 29 të arrestuar


Ilustrim
Ilustrim
Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione ditëve të fundit në Prishtinë dhe Gjakovë, duke arrestuar 29 persona të dyshuar për aktivitete të paligjshme.

Në funksion të goditjes së krimit, Policia ka kontrolluar 15 lokale të natës në Prishtinë, prej të cilave, 9 janë mbyllur nga ana e inspektoratit.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aktivitetet policore kanë të bëjnë me goditjen e krimit dhe se, sipas tij, aksionet kanë rezultuar me arrestime, konfiskim të armëve e gjësendeve tjera të paligjshme.

Aksioni i fundit i kontrolleve policore ka përfshirë 15 lokale të natës në Dardani e Ulpianë, prej të cilave, inspektorët më pas mbyllën 9 sosh.

Pas kontrolleve të bëra në 15 lokale në Dardani e Ulpianë, janë konfiskuar 5 armë zjarri të shkurta, 1 revole plastike, 5 thika apo armë të ftohta dhe 2 lloj boksa të hekurt apo të metalit. Në këtë operacion janë shoqëruar për në stacionin policor 9 persona, ndaj të cilëve është ngritur procedura penale. Policia e Kosovës këtë operacion e ka ndërmarrë në kuadër të operacioneve të planifikuara me qëllim të goditjes së krimit”, ka thënë Kelani.

Përveç Prishtinës, një operacion të ngjashëm Policia e Kosovës ka organizuar edhe në Gjakovë. Edhe atje, janë kontrolluar 15 lokale afariste, me ç’rast janë arrestuar 20 persona, ka thënë zëdhënësi Kelani.

Edhe ky operacion, i koduar ”cunami”, përveç arrestimeve, ka rezultuar me konfiskimin e armëve ilegale dhe gjësendeve tjera të paligjshme.

“Prej 20 personave të arrestuar, 5 prej tyre akuzohen për mbajtje dhe pronësi të paautorizuar të armëve, ndërsa 2 për veprimtari të përgjithshme ekonomike dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike. Përderisa 13 të tjerët kanë qenë të kërkuar dhe postuar në listat e personave të kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Pra, në total, ky operacion ka rezultuar me arrestimin e 20 personave të dyshuar për veprimtari të ndryshme penale”, ka shpjeguar Kelani.

Aksione të ngjashme Policia e Kosovës këto ditë ka ndërmarrë në disa raste në Prishtinë, ku në shënjestër janë vënë sidomos lokalet e natës.
XS
SM
MD
LG