Ndërlidhjet

logo-print

Gati për takimin ndërkombëtar më 5 mars


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Drita e gjelbër nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit - FIFA që Kosova të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare, ka vënë në lëvizje mekanizmat përgjegjës, qoftë Federatën e futbollit, qoftë qeverinë e vendit, të bëjnë përgatitjet e nevojshme për një ndeshje të tillë, në afatin sa më të shkurtë.

Përderisa ekziston bindja e përgjithshme se resurset humane ose futbollistët e nivelit ndërkombëtarë nuk do t’i mungojnë përfaqësueses së Kosovës, mbetet ende brengë përgatitja infrastrukturore dhe plotësimi i kritereve minimale ose optimale për një ndeshje ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, vlerësojnë se problemi i infrastrukturës është i hershëm, por zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës përgjegjës për sportin, thonë se viteve të fundit janë bërë mjaft investime që ajo në përgjithësi të përmirësohet.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, tash për tash, janë dy stadiume në Kosovë, në Prishtinë dhe në Mitrovicë, të cilat janë më së afërmi kritereve infrastrukturore të pranueshme, të cilat kërkohen nga FIFA.

“Nuk nevojiten kushte të jashtëzakonshme, sepse është ndërkombëtare miqësore. Megjithatë, duhen disa standarde minimale. Mendoj se nëse vazhdojmë me këtë eufori, ta quaj pozitive, organet tona shtetërore, qeveria apo edhe komunat e Prishtinës dhe Mitrovicës, dy stadiumet kryesore që mund të aftësohen për një kohë të shkurtë, mund të arrijmë të bëjmë diçka, në mënyrë që ‘të mos koritemi’, siç thotë populli. Jam optimist në këtë drejtim dhe mendoj se do të mund të zhvillojmë ndeshjen e parë miqësore, bile nën kushte minimale”, shprehet Salihu.

Përmbushja e kritereve të kërkuara infrastrukturore nga ana e FIFA-s, të paktën për stadiumin olimpik “Adem Jashari" në Mitrovicë dhe stadiumin e qytetit në Prishtinë, tashmë është prioritet i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Numri i një i kësaj ministrie, Memli Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se projekti për rregullimin e infrastrukturës në stadiumin në Mitrovicë, i cili që më herët është financuar me 700 mijë euro nga ministria që ai drejton, është në përfundim e sipër.

“Besojmë se shumë shpejt, në javët e ardhshme, do të përfundojnë të gjitha situatat e mbetura, duke përfshirë edhe vendosjen e karrigeve. Pastaj, janë edhe pjesë të tjera që i ka marrë përsipër komuna t’i financoj e që kanë të bëjnë vetëm me pjesën logjistike të vendosjes së semaforëve, të reflektorëve, të pjesës së sistemit të zorimit, e kështu me radhë, të cilat ne i kemi sjellë nga Suedia, në kohën kur stadiumi Rasunda, realisht i dha një donacion Federatës së Futbollit të Kosovës”, thotë Krasniqi.

Në anën tjetër, Salihu ka theksuar se lidhur me stadiumin e qytetit të Prishtinës mbetet ende dilema se si do të financohet për rregullimin e infrastrukturës, për faktin se ky stadium është i komunës së Prishtinës.

Sipas tij, ministria përgjegjëse për sportin ka shprehur gatishmërinë që të financojë, por mbetet tek organet komunale që ta shqyrtojnë këtë situatë.

Megjithatë, sipas tij, përfaqësuesja e Kosovës mund ta zhvillojë takimin e parë menjëherë edhe pse kushtet infrastrukturore lënë për të dëshiruar.

Por, siç ka thënë ai, FIFA ka përcaktuar terminin që ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare Kosova mund ta zhvilloj me 5 mars.

Ky termin sipas Salihut, i ka vënë në lëvizje të gjithë faktorët për krijimin e kushteve të nevojshme që ndeshja të zhvillohet.

Ju e dini që kampionati botëror është në prag dhe ekziston vetëm një termin i lirë, e them kushtimisht, sepse klubet (ku luajnë lojtarët kosovarë) janë të obliguara t’i lirojnë lojtarët për këtë afat. Përndryshe, ne mund të zhvillojmë ndeshje, ndoshta, qysh nesër".

"Në këtë moment mendoj se mund të zhvillohen ndeshje miqësore ndërkombëtare. Ekziston fusha dhe duhet që infrastruktura e brendshme t pastrohet dhe punohet pak. Mirëpo, ndeshja e parë është pasqyre, pastaj jashtë, sepse do të jetë interesim i madh dhe duhet të bëjmë ne diçka, për arsye se momentalisht është keq
”, bën të ditur Salihu.

Por, ministri Krasniqi ka theksuar se qeveria është e gatshme që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për investimet eventuale që kërkohen.

“Dua të them që nuk është se kjo situatë na ka zënë të papërgatitur, sepse ne i kemi nisur këto projekte qysh më herët. Por, konkretisht, cilat do që të jenë nevojat për investime në këtë periudhë afatshkurta, ne gjithë se si që do ta bëjmë një gjë të tillë. Absolutisht, ne jemi të gatshëm që të zhvillojmë ndeshje ndërkombëtare edhe në aspektin teknik – organizativ edhe sikur të zhvillohej ndeshja me 5 mars, me datën e ardhshme të caktuar nga FIFA".

"Sikur ta zhvillojmë qoftë në Prishtinë, qoftë në Mitrovicë, do të jemi në gjendje për të zhvilluar një ndeshje, e cila nuk po them se është, për sa i përket niveleve dhe kritereve, në kategorinë A, por do të jetë në kategori të pranueshme”, bën të ditur Krasniqi.

Ndryshe, në maj të vitit të kaluar, FIFA ishte pajtuar në parim për të lejuar Kosovën që të luajë ndeshje miqësore, por për shkak të kundërshtimet e Serbisë dhe presidentit të Federatës Evropiane të Futbollit, Michel Platini, patën zhargitur marrjen e vendimit përfundimtar.

Megjithatë, me 13 janar, FIFA përfundimisht ka dhënë dritën e gjelbër për Kosovën, duke mbajtur në këtë mënyrë premtimin që i kishte dhënë më parë Federatës së Futbollit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG