Ndërlidhjet

Jahjaga shpreson që negociatat për MSA të mbyllen në pranverë


Ilustrim

Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga shprehu sot gatishmërinë e institucioneve të vendit për të përmbushur deri në pranverë, kriteret e nevojshme për mbylljen e negociatave me Bashkimin Evropian, rreth Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Këtë zotim, presidentja ia komunikoi euro-parlamentarës Ulrike Lunacek të cilën e priti sot në zyrën e saj në Prishtinë, dhe diskutoi me të çështjen e procesit të euro-integrimeve të Kosovës.

“Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet që do të mundësojnë përmbylljen me sukses të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në në pranverë të këtij viti”, thuhet në njoftimin që i dërgoi presidenca medieve të hënën pas takimit.

Presidentja Jahjaga ka falënderuar po ashtu eurodeputeten Lunacek, për kontributin e saj personal dhe për mbështetjen e gjerë të anëtarëve të Parlamentit Evropian për kalimin e Rezolutës për Kosovën.

Lunacek që është edhe raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe posaçërisht theksoi rëndësinë e organizimit dhe mbajtjes me sukses të zgjedhjeve lokale në tërë territorin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG