Ndërlidhjet

Roboti Rene, miku i fëmijëve me autizëm


Roboti Rene...
Roboti Rene...
Djaloshi katër vjeçar, Lluka, është entuziast për shokun e tij të ri.

"Ai mund të shkruajë. Mund të ulet tani dhe të pijë ujë”.

Por, është një miqësi e pazakontë. Lluka është një fëmijë me autizëm, një çrregullim në zhvillim që prek aftësitë sociale, ato të sjelljes dhe komunikimit. Miku i tij ndërkaq, Rene, është një robot.

Që të dy janë takuar në kuadër të një projekti të përbashkët të Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave të Rehabilitimit dhe Fakultetit të Elektronikës dhe Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Zagrebit.

Nisma ka për synim shfrytëzimin e robotëve për të përmirësuar diagnostikimin dhe vlerësimin e fëmijëve që vuajnë nga ky çregullim, një proces ky i cili deri më tash është cilësuar si shumë kompleks dhe subjektiv.

Qëllimi i robotit është të ndihmojë, edhe jo të zevendësojë mjekun.

Hulumtuesja Jasmina Stoshiq, përshkruan aftësitë e robotit Rene…

"Për fëmijët me autizëm, roboti është një nxitës, që vazhdon të jetë në gjendje të njejtë gjithmonë. Sytë i ka gjithmonë në të njejtin vend, gojën poashtu. Për këta fëmijë, njerëzit janë relativisht të ndërlikuar, sepse kur ne flasim, bëjmë gjeste të ndryshme. Një ditë do të jemi më bluzë të kuqe, të nesërmen me ngjyrë të kaltër. Roboti ndërkaq është konstant dhe këta fëmijë nuk kanë nevojë të ngarkohen me shumë informacione”, thotë zonja Stoshiq.

Për shkak të vështirësive në vlerësim, fëmijët me autizëm rëndom diagnostikohen me vonesë. Në Kroaci, ata zakonisht nisin terapinë në moshën 5 ose 6 vjeçare.

Marija Çukelj, nëna e Filipit 4 vjeçar, e i cili tashmë është pjesë e projektit me robotin, shpjegon vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar…

"Filipi ka nisur të mbyllet në vetvete kur ishte 14 ose 15 muajsh. Nuk i shihte më njerëzit në sy, madje as ne, prindërit e tij. Pas rreth dy muajsh, filluam të kërkonim ndihmë. Për fat të keq, shumë kohë kaloi dhe kur ai ishte një vjeç e gjysmë, na thanë që ‘fëmija është shumë i vogël dhe çdo gjë mund të ndodhë’. Pas një viti tjetër, im bir filloi terapinë dhe kohën e çmuar e kemi humbur”, thotë zonja Çukelj.

Për Filipin, takimi me Renenë, ishte shpërthyes…

"Kur e takoi robotin për herë të parë, ai thjesht u ul dhe e shikoi gjatë. Për Filipin, i cili është shumë energjik dhe të cilin rrallë herë arrijmë ta qetësojmë, ishte një sukses i madh ta shihje të ulur, duke vëzhguar me kujdes diçka”, thotë e ëma e Filipit.

Roboti Rene është prodhuar në Francë dhe disa institucione hulumtimi në mbarë botën kanë shfrytëzuar robotë të ngjashëm për të punuar me fëmijët që vuajnë nga autizmi. Hulumtuesit në Kroaci ndërkaq, janë duke u përqëndruar në përdorimin e robotëve për të zhvilluar një protokoll të standardizuar diganostikimi.

Hulumtuesja Çepanec thotë se synimi është të shfrytëzohet roboti për të mbledhur të dhëna për sjelljet që përsëriten në vazhdimësi…

"Roboti është i pajisur me kamera, mikrofonë, zmadhues dhe mund të inçizojë gjera që neve mund të na kenë ikur nga sytë. Mund të ofrojë të dhëna për aftësitë verbale të fëmijës, për afërsinë e tij me prindërit, për komunikimin që fëmija synon të bëjë gjatë ditës, për kontaktin me sy, e kështu me radhë”, thotë zonja Çepanec.

Për të arritur edhe më shumë sukses në fillimin tashmë premtues të këtij projekti, hulumtuesit janë duke punuar edhe me Fondin Kombëtar të Shkencave në Kroaci dhe institucione evropiane, me shpresën për të zgjeruar numrin e fëmijëve të përfshirë në këtë hulumtim.(a.vidishiqi)

XS
SM
MD
LG