Ndërlidhjet

logo-print

Natasha Kandiq: Ndriçimi i ndaluar i rastit "Panda"


Natasha Kandiq, drejtoreshë disa vjeçare e Fondit për të Drejtën Humanitare, përshkruan për Radion Evropa e Lirë, vizitën që kishte realizuar në Pejë, menjëherë pas vrasjes së të rinjve serbë në kafiterinë "Panda".


Me rastin e vrasjes së gjashtë të rinjëve serbë në kafiterinë “Panda” dhe me rastin e arrestimeve në masë dhe keqtrajtimit të shqiptarëve në lagjen “Kapeshnicë”, kam vizituar Pejën më 19 dhe 20 dhjetor më 1998. Në cilësinë e drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare kam biseduar me një numër të madh shqiptarësh dhe një serb.

Qyteti ishte nën kontrollin e Njësisë së Operacioneve Speciale [JSO] dhe njësisë lokale të policisë “Vetëtima”. Në atë kohë ndodhnin shpesh rrëmbime dhe vrasje të shqiptarëve, të cilët policia i përshkruante si pjesëtarë të UÇK-së. Shqiptarët më thonin me bindje se vrasjet në “Panda” nuk i ka bërë askush nga komuniteti shqiptar.

Një prej dëshmive që ata shihnin ishte fakti se policia dhe ushtria kishin nisur përndjekjen e kryesve më 17 dhjetor, tre ditë pas vrasjeve. Miqtë e mi shqiptarë më këshillonin të bisedoja me Dragolub Stanojeviqin, në atë kohë drejtor në Shërbimin për Kontabilitet Shoqëror [SDK], djali i të cilit Zorani, nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme, qe vrarë. Në atë periudhë, në SDK punonin edhe shqiptarët.

Drejtori Stanojeviq njihej si një njeri i drejtë dhe i arsyeshëm.

Në qytet flitej se zyrtarë të SDK-së, shqiptarët, e kishin pyetur nëse guxojnë t’i shkojnë në shtëpi dhe t’i shprehin ngushëllime. Thuhej se Stanojeviq u kishte thënë, “ejani, e di kush ma ka vra djalin”.

E kërkova me telefon Dragolub Stanojeviqin dhe ai pranoi të më takonte. Tek ai hasa në disa qytetarë serbë. Flisnin për vrasjen e të rinjëve. Të gjithë ishin thuase të sigurt se krimin e kishin bërë “terroristët shqiptarë”. Tentimi im për t’ua lënë hapur mundësinë që mund të mos jetë “krim shqiptar” u prit me reagime të ashpra. Dragolub Stajoneviq qëndronte në heshtje, nuk më tha se “e di kush ia ka vrarë djalin”.

Së paku 150 shqiptarë nga “Kapeshnica” janë arrestuar më 17 dhjetor 1998. Në aksionin për bastisjen e shtëpive të shqiptarëve dhe rrahjen e tyre kanë marrë pjesë rreth 200 pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë. Gjatë marrjes në pyetje të shquptarëve të arrestuar të pranishëm ishin edhe inspektorë të Sigurisë Shtetërore nga Beogradi [DB].

Shqiptarët e rrahur kujtojnë inspektorët me emrin Lubo, Zoran dhe Strikoviq. Thonë se ata tre i kanë rrahur pamëshirshëm. Të dyshuarit Agron Kollçaku, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Beqir Loxha dhe Vllaznim Përgjegjaj më 22 dhjetor 1998 dolën para gjykatësit hetues, Nebojsha Zhivkoviq.

Ai mori vendim që të nisin hetimet për kryerjen e aktit terrorist në “Panda”. Të pestit më 11 qershor të vitit 1999, nga burgu i qarkut në Pejë, u transferuan nëpër burgjet e Serbisë.

Më 9 nëntor 1999, në gjykimin e mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Leskovc, u dënuan me veprën penale të veprimtarisë armiqësore. Janë liruar më 15 dhjetor 1999, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Kam patur rastin disa herë që për vrasjet në “Panda” t’i pyes përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme [MUP]. Përgjigja ishte se nuk mund ta zgjidhin çështjen, jo se nuk ka dëshmi, por se ndriçimi i rastit nuk është i lejuar. Bastisja e shtëpive shqiptare, marrja në pyetje dhe rrahja e shqiptarëve ishte një lojë për fshehjen e gjurmëve të vërteta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG