Ndërlidhjet

OJQ-ja ruse në Mitrovicë, ilegale


Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Një organizatë joqeveritare nga Rusia, për të cilën ditë më parë është thënë të jetë hapur në Mitrovicën Veriore, nuk është regjistruar tek organet kompetente në Prishtinë.

Në adresë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka ardhur asnjë kërkesë e ndonjë organizate joqeveritare ruse, thotë për Radion Evropa e Lirë, Zeqir Bekolli, nga zyra për komunikim publik në këtë ministri.

“Sipas shënimeve që i kemi deri në janarin të këtij viti, në Ministrinë e Administratës Publike, gjegjësisht në Departamentin e Organizatave Joqeveritare (OJQ), nuk ka bërë kërkesë asnjë organizatë ruse”, bën të ditur Bekolli.

Kjo organizatë ruse, e cila pohon se merret me të drejtat e njeriut, pretendon të jetë hapur më 19 janar. Një njoftim të këtillë e kanë dhënë vetë agjencitë ruse të lajmeve, duke u thirrur në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga kabineti i një ligjvënësi rus.

Ligjvënësi Vitaly Milonov, citohet të ketë thënë se projektet e qendrës financohen me fonde private dhe jo shtetërore.

Vetë Milonov njihet si një ligjvënës kundërthënës rus, i cili mes tjerash ka kërkuar të ngrihet padi kundër artistes me famë botërore, Madona; ka hartuar Ligjin kundër homoseksualëve; e madje ka propozuar edhe miratimin e një ligji për të kufizuar shitjen e ushqimit të shpejtë, ose asaj që njihet si fast-food.

Edhe shefja e Zyrës Administrative në veri, Adriana Hoxhiq, njëherit ish-kandidate për kryetare të Mitrovicës së veriut, nuk ka informacione për hapjen e një qendre të tillë.

Zyra Administrative është ajo që pranon aplikacione për regjistrimin e OJQ-ve, të cilat veprojnë në veri të Mitrovicës, thotë Hoxhiq, duke shtuar se një kërkesë nga organizata në fjalë nuk ka arritur.

Ajo e quan të papranueshme funksionimin e ndonjë qendre apo organizate joqeveritare pa kurrfarë regjistrimi. Kjo nuk duhet të tolerohet, thotë ajo.

“Unë mendoj se kjo anarki duhet të stopohet dhe duhet të merren hapa për të vënë nën kontroll edhe këtë aktivitet”, thotë Hoxhiq.

Të panevojshme hapjen e kësaj qendre në veri të Mitrovicës e konsideron Halit Barani, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë.

Megjithatë, edhe ai thotë se për hapjen e kësaj qendre ka dëgjuar vetëm nëpërmjet mjeteve të informimit.

“Nuk ka pasur nevojë të hapet ndonjë organizatë joqeveritare nga një shtet tjetër, për shkak se në Kosovë ka mjaft OJQ që merren me të drejtat e njeriut”, konsideron Barani.

Ndryshe, për regjistrimin e organizatave joqeveritare ndërkombëtare ekzistojnë procedura të caktuara, thotë Zeqir Bekolli, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Së pari, sipas tij, duhet të plotësohet kërkesa për regjistrim të organizatës së huaj në Kosovë, duke paraqitur të gjitha të dhënat e sakta.

“Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet dokumentacioni komplet i përkthyer në gjuhën zyrtare. Aty duhet të saktësohet dëshmia për themelimin e organizatës, e noterizuar, selia e administratës së saj, misioni, veprimtaria, simboli i OJQ-së. Nëse OJQ është e interesuar të ketë statusin e ndërmjetësuar publik duhet të dëshmohet se a është e liruar nga taksat e vendit nga vjen”, thekson Bekolli.

Ndryshe, emri i udhëheqësit të kësaj OJQ-je të re thuhet të jetë Andrei Ponomaryov, i cili nga agjencia ruse e lajmeve “Interfax” citohet të ketë thënë se synimet e kësaj OJQ-je janë në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe nuk janë politike.

“Qëllimi kryesor i projektit është zbatimi i standardeve ligjore të njohura ndërkombëtarisht në Kosovë. Kjo nuk është fushatë politike, por është një projekt për të drejtat e njeriut", citohet të ketë thënë Ponomaryov.

Ajo që dihet është se kjo OJQ ende nuk ka zyra, por deri më tash udhëheqësit e saj janë takuar jo formalisht me disa qytetarë në Mitrovicën e Veriut, “duke i njoftuar ata nga afër me të drejtat që kanë dhe shkeljen e tyre”.
XS
SM
MD
LG