Ndërlidhjet

NYT: Mësimet e Bosnjës për Sirinë


Siri...
Siri...
Përkundër mospajtimit diplomatik të minutës së fundit lidhur me anulimin e thirrjes së Kombeve të Bashkuara për Iranin, për të marrë pjesë në takimin për paqe, të njohur si “Gjeneva II”, ndërmjet qeverisë së Bashar al-Assadit dhe opozitës siriane, konferenca parashihet të fillojë të mërkurën, me mbështetje nga anëtarët e NATO-s dhe Rusia, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja New York Times, duke konstatuar se procesi ballafaqohet me sfida të tmerrshme.

Çfarë janë gjasat për regjimin e Assadit, që të bëjë negociata për largimin e vet, duke pasur parasysh pozicionin e përmirësuar ushtarak, dhe deri në çfarë mase përfaqësuesit opozitarë mund të veprojnë për forcat e ndara, bile edhe rivale, që po luftojnë në Siri, e shtron pyetjen gazeta.

Prej fillimit të luftës civile në Siri, shumë vëzhgues kanë tërhequr paralele ndërmjet Sirisë dhe Bosnjës.

Bisedimet Gjeneva II janë jehonë e përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit në Ballkan, para 20 vitesh.

Por, cilat janë mësimet? Nëse ekziston një mësim i përgjithshëm nga Bosnja, për palët që takohen në Zvicër, atëherë ai është nevoja për modesti.

Sa më shumë e përkushtuar që të jetë bashkësia ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit, lufta civile është jashtëzakonisht rezistuese ndaj intervenimit të jashtëm. Kjo i ka tri implikime të rëndësishme, shkruan e përditshmja New York Times.

Implikimi i parë është se nismat paqësore, zakonisht,paraqesin një pasiguri se me çfarë thjerrëzash të shikohet konflikti. Ka tendencë të vlerësohet se faktet në terren, në vendet si Bosnja ose Siria, janë në radhë të parë, të kontrolluara nga strategjitë dhe oraret e përpiluara nga të jashtmit. Por, ato nuk janë, shkruan gazeta.

Marrëveshja e Dejtonit, me të cilën përfundoi lufta në Bosnjë, në vitin 1995, ishte pasardhëse e katër nismave të pafrytshme paqësore; konflikti në Siri tashmë ka gjeneruar hisen e tij, shkruan New York Times.

Në Bosnjë, në vitin 1993, efektet e Planit Vance – Owen të pasuksesshëm, që propozonte entitete të reja politike të ndara përgjatë linjave etnike, ishin të intensifikoheshin fushatat e spastrimit etnik, derisa grupe të ndryshme, përpiqeshin t’i forconin pozicionet e tyre para ndarjes.

Ne duhet të presim që planet, që diskutohen në Zvicër, të kenë ndikim identik në Siri.

Implikimi i dytë është nevoja për ta vështruar një pamje më të gjerë rajonale, siç bëri i dërguari amerikan Richard C. Holbrooke, gjatë angazhimit diplomatik, që ka çuar në Dejton.

Ai e siguroi mbështetjen e partnerëve të tij evropianë dhe të Rusisë, dhe i solli liderët e fqinjëve të Bosnjës, Kroacisë dhe Jugosllavisë (tash Serbia), brenda procesit.

Marrëveshja e Dejtonit ishte larg nga ajo që të jetë perfekte, derisa rishfaqen problemet aktuale në Bosnjë, por strategjia e zotit Holbrooke, pat arritur sukses në krijimin e kushteve të nevojshme për zbatimin e zgjidhjes.

Rusia, së bashku me Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare individuale, ka luajtur rol madhor në implementimin e Marrëveshjes së Dejtonit, dhe bashkësia ndërkombëtare ishte e gatshme të mbështetej në bashkëpunimin e Kroacisë dhe Serbisë, për të ndihmuar në menxhimin e zhvillimeve në Bosnjë.

Kjo sugjeron se përpjekjet e administratës Obama për mbështetjen e bisedimeve të Gjenevës, si pjesë e koalicionit të gjerë, ku përfshihet edhe Rusia, është strategji e drejtë, bile edhe në rast se mosprania e Iranit në tryezë dëshmohet si faktor kufizues, shkruan New York Times.

Përfundimisht, Bosnja na mëson se lufta nuk përfundon kur ulen armët. Përvoja e Bosnjës është se elitat e kohës së luftës vazhdojnë t’i ndjekin qëllimet luftarake, edhe pas ndaljes së armiqësive.

Ndërmarrja e komunitetit ndërkombëtar për ta përfunduar luftën civile në Siri është ambicie shumë e lartë. Bile edhe nëse Gjeneva II është e suksesshme në ndaljen e dhunës, fuqitë e jashtme duhet ta presin atë, sikur në Bosnjë, se disa grupe do të synojnë ta shkatërrojnë zgjidhjen e ndjeshme me mjete të tjera.

Kryengritja nuk është fenomen i pastër ushtarak.

Rrjedhimisht, diplomacia e Shteteve të Bashkuara duhet të jetë e qëndrueshme, e durueshme dhe modeste, derisa i udhëzon palët e ndryshme të largohen nga konflikti.

Fitimi i paqes kurrë nuk është përpjekje afatshkurtër, shkruan në fund të artikullit e përditshmja New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG