Ndërlidhjet

Pa vullnet politik për luftimin e shpëlarjes së parave


Ilustrim

Ilustrim

Paratë e fituara me aktivitete të dyshimta dhe që synojnë të legalizohen përmes investimeve të ndryshme, raportohet të kenë shënuar rënie gjatë vitit 2013. Policia e Kosovës bën të ditur se kanë trajtuar vetëm dy raste të shpëlarjes së parave, me ç’rast janë ngritur 4 kallëzime penale ndaj 6 personave te dyshuar.

Derisa, në vitin 2012 mekanizmat e sigurisë kishin hetuar 8 raste të dyshuara për shpëlarje parash, kishin arrestuar 7 persona dhe ndaj 14 personave të dyshuar në këto raste ishin ngritur kallëzime penale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se kanë një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha institucionet vendore të cilat kanë për qëllim luftimin e kësaj dukurie.

Derisa, vepra penale që lidhen me krime ekonomike dhe korrupsion, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, janë në numër shumë më lartë sesa ato të shpëlarjes së parave.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjatë vitit 2013 ka ngritur gjithsej 485 kallëzime penale, 11 prej të cilave me kryes të panjohur, ndërsa 474 kallëzime penale kundër 1006 personave. Është arritur që të identifikohen gjithsej 840 persona të dyshuar, 141 prej të cilëve janë arrestuar me urdhër të prokurorive kompetente”, ka bërë të ditur Sadriu.

Përpjekjet e institucioneve për luftimin e kësaj dukurie, nga përfaqësues të shoqërisë civile, konsiderohen të pamjaftueshme. Ata thonë se lufta ndaj kësaj dukurie duhet të intensifikohet.

Mertia Mustafa nga Tansparency International Kosova, organizatë globale që vështron dhe avokon kundër korrupsionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se shpëlarja e parave është një dukuri e cila është mjaft e përhapur në Kosovë, por, që siç thekson ajo, nuk ka vullnet politik për ta luftuar.

Problemi i parë është se na mungon vullneti i politik që të bëhen reforma apo t’i fuqizojë institucionet që kanë përgjegjësi për të atakuar këtë problem; e dyta është që ende nuk i kemi krijuar kapacitet e duhura për të atakuar këtë problem dhe e treta, ka shumë indikatorë që na shtyjnë të mendojmë se janë të përfshirë në këtë sektorë zyrtarë politik dhe për këtë arsye nuk luftohet si duhet”, thekson Mustafa.

Ajo shton se derisa pasuria e zyrtarëve të lartë qeveritarë është duke u rritur tregon qartë se pasurimi i tyre po bëhet nga veprime të paligjshme, duke përfshirë këtu edhe shpëlarjen e parave.

“Sipas shumë treguesve që edhe ne si shoqëri civile i shohim, pasuria e zyrtarëve të lartë është duke u rritur vazhdimisht dhe më siguri se mund të jenë të përfshirë edhe në këtë dukuri, pasi që mënyra më e shpejtë e pasurimi sigurisht që në Kosovë është nga korrupsioni, shpëlarja e parave dhe dukuri tjera që janë të natyrës penale”, shton ajo.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, vazhdimisht janë cilësuar si dy pengesat më të mëdha në drejtim të përparimit të Kosovës.

Niveli i lartë i korrupsionit në Kosovës ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Ata kishin kërkuar nga institucionet që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Institucioni kryesor për luftimin e shpëlarjes së parave është Njësia e Inteligjencës Financiare. Përveç kësaj, edhe Banka Qendrore e Kosovës, në kursin e ekzaminimeve të veta në një ndër fushat e angazhimit ka edhe fushën e pastrimit të parave.

Derisa, me plotësimin e ndryshimit te ligjit mbi parandalimin e shpëlarjen e parasë , me hetime të rasteve të tilla merren edhe hetuesit nga Doganat e Kosovës dhe të Administrata Tatimore e Kosovës.

Dukuria e shpëlarjes së parave edhe nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë theksohet të jetë shqetësuese.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo dukuri e dëmton konkurrencën në treg.

“Shpëlarja e parave është e rrezikshme për ekonominë formale, është një informalitet, është një konkurrencë e padrejtë dhe kur këto para përdoren për qëllime të ndryshme kriminale, mund të rrezikohet gjithë sistemi, por besoj që në Kosovë kjo dukuri nuk është shumë prezente në krahisim me vendet tjera”, shprehet Shahini.

Sipas Shahinit, sektori i ndërtimtarisë mund të jetë biznesi që më së shumti përdoren këto para.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG