Ndërlidhjet

Kosova nuk do të përfshihet në liberalizimin e vizave, përderisa të mos shënojë rezultate konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, thonë njohësit e zhvillimeve integruese.

Sipas tyre, aspektet e sundimit të ligjit janë pengesë për heqjen e vizave, sikurse edhe aspekti ekonomik i cili ka ndikuar në rritjen e migrimeve ilegale dhe azil-kërkimit.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka thënë të martën në Prishtinë se liberalizimi për shtetasit e Kosovës jo vetëm që nuk ka gjasa të ndodhë sivjet, por është nën dyshime edhe për 2 – 3 vitet e ardhshme.

Lidhur me këtë, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike mendon se mungesa e liberalizimit vjen si pasojë e performancës së dobët në plotësimin e kritereve evropiane të përcaktuara me udhërrëfyesin për vizat.

Po ashtu, ka nënvizuar Korenica, Kosova duhet të tregojë shembuj konkret të luftimit të krimit e korrupsionit, ngase vetëm miratimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm.

"Nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën për aq kohë sa Kosova nuk tregon luftë të qartë ndaj krimit të organizuar, korrupsionin, shpëlarjes së parave. Kjo nuk është më çështje e faktit nëse qeveria nxjerr apo jo legjislacion adekuat për këtë qëllim, por është çështje që duhet treguar në praktik se Kosova po jep evidencë praktike të luftimit të këtyre dukurive”, ka thënë Korenica.

Ndërkohë, analisti Emrush Ujkani thotë se deklaratat e raportueses Lunacek nuk janë befasuese, ngase ishin disa liderë kosovarë ata që kishin dhënë premtime pa mbulesë për afate e data rreth liberalizimit dhe kjo sipas tij kishte krijuar pritje të tepruara.

Po ashtu, ka rikujtuar ai, për Kosovën kishte kritere më shumë sesa për vendet tjera dhe kjo vlerësohet ta ketë rënduar pak përmbushjen e tyre.

“Unë nuk besoj që perspektiva është shëmtuar apo mbyllur për Kosovën. Mendoj që institucionet tona kanë çaluar kryesisht. Mungesa e sundimit të ligjit në mënyrë të mjaftueshme, pastaj mos-adresimi adekuat i aferave korruptive, natyrisht që nuk ka mund t’i jep imazh të mirë këtij procesi. Pra, jo që është dëmtuar perspektiva por, procesi do të merr kohë pak më gjatë sesa që dikush ka menduar apo dikush dikujt i ka premtuar”, është shprehur Ujkani.

Në anën tjetër, Fisnik Korenica tërheq vërejtjen për trendin në rritje te disa vende evropiane kundër zgjerimit, çka mund të ndikoj në shtyrje tjera edhe për sa i përket liberalizimit të vizave.

Vetëm atëherë kur Kosova të ketë plotësuar në tërësi kriteret e udhërrëfyesit do të dihet se cilat do të jenë qëndrimet e vendeve të BE-së në raport me heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës, ka thënë ai.

“Ka një trend në rritje në Evropë kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sidomos disa shtete si Holanda e Belgjika, por shpresoj që qëndrimi i tyre politik nuk mund të reflektohet të paktën në kuptimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, meqë Kosova momentalisht është vendi më i izoluar në Evropë”, ka thënë Korenica.

Zgjedhjet në Bashkimin Evropian shihen si një pengesë tjetër që reflekton në shtyrje të reja për marrjen e çfarëdo vendimi për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Nëse gjithçka do të shkonte sipas dinamikës dhe parashikimeve, Emrush Ujkani beson që për liberalizimin e vizave, Kosova duhet të pret lajme të mira tek në fund të vitit 2015 përkatësisht në fillim të vitit 2016.

“Me ritmin e duhur unë besoj që viti 2015 do të jetë vendimtar kur Komisioni Evropian do t’i bëj rekomandimin Këshillit dhe ky organ do të merr vendimin diku në fund të vitit 2015 që qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën ‘Shengen’. Kjo i bie që qytetarët e Kosovës nga vitit 2016 apo para Krishtlindjeve të vitit 2015 të përfshihen në liberalizimin e vizave”, ka thënë Ujkani.

Liberalizimin e vizave, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ua kishte premtuar qytetarëve qysh në vitin 2010. Qeveria që ai drejton bashkë me institucionet tjera kanë miratuar ligje e strategji për integrim.

Por, pengesat kanë mbetur qoftë për shkak të rritjes së migrimeve ilegale e azil-kërkimit si rrjedhojë e gjendjes së rëndë ekonomike, apo edhe mungesa e luftimit të dukurive negative të krimit të organizuar e korrupsionit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG