Ndërlidhjet

logo-print
Qeveria e Maqedonisë është zotuar se brenda dy vitesh, në tri faza do të rrisë rrogat e të gjithë punonjësve administrativë, policisë, madje edhe në sektorin privat, me atë që paga minimale do të arrijnë në 10 mijë denarë nga 8 mijë sa është tani, gjegjësisht paga minimale duhet të arrijë në vlerën prej rreth 160 euro.

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka theksuar se të gjithë punëdhënësit do të jenë të obliguar me ligj që t'i rrisin pagat në nivel të barabartë ose ata t'i ngrenë në nivel më të lartë se paga minimale.

Por përfaqësuesit e sindikatave të Maqedonisë me të cilën qeveria ka rritur ujdi për këtë çështje dhe ekspertët e ekonomisë kanë mendime të ndara sa i përket asaj se kjo rritje e pagës, që e paralajmëron Qeveria është e realizueshme apo është në funksion të fushatës zgjedhore, e cila sipas tyre ka filluar më herët seç parashihet me ligj.

Zhivko Mitrevski, drejtues i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë është shprehur i kënaqur nga vendimi i qeverisë, duke nënvizuar se edhe kundrejt faktit se Sindikata dhe Qeveria kanë pasur periudha bashkëpunimi është realizuar në nivel të duhur.

“Informacioni për rritjen e pagave ka të bëjë me një akt historik në pjesën që ka të bëjë me përcaktimin e politikave sociale në Maqedoni”, është shprehur Mitrevski.

Por, ndryshe nga ai, ish drejtuesi i sindikatave, Drage Jovanovski, aktualisht i angazhuar në sektorin për mbrojtjen juridike të punëtorëve, konsideron se punëtorët administrativ, me theks të veçantë si asnjëherë më parë janë në një pozitë të pavolitshme.

“Kur jemi tek kushtet e punës që kanë të bëjnë me punonjësit e administratës më duhet të theksoj se ata janë të cunguara si asnjëherë më parë. Pikërisht me ndryshimet ligjore të drejtat e punëtorëve bien ndesh edhe me konventat evropiane, organizatat ndërkombëtare të punës”, nënvizon Drage Jovanovski.

Ai këtë vendim të Qeverisë e sheh në funksion të revoltës e cila është e pranishme gjithnjë e më shumë në mesin e punëtorëve si pasoj e përkeqësimit të gjendjes ekonomike.

Nga ana tjetër Arbën Halili, drejtor ekzekutiv në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, masat e qeverisë i sheh si lëmoshë për të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në institucionet shtetërore dhe assesi nuk bëhet fjalë për ngritjen e standardit jetësor.

Halili thotë se përmirësimi i standardit jetësor mund të arrihet vetëm me përforcimin e sektorit privat dhe jo Qeveria të jetë punëdhënësi kryesorë në shtet.

“Fatkeqësisht të rinjtë vazhdojnë të shohin si mundësi më atraktive punësimin në sektorin qeveritarë gjegjësisht punësimin në administratën publike, andaj ne si sektor biznesi propozuam që punësimi në kompanitë private të jetë më atraktiv me atë që rroga minimale në këtë sektorë të jetë rreth 350 euro dhe nga ana tjetër ky sektor të mbështet përmes subvencioneve të ndryshme".

"Propozimi për rritjen e pagës minimale në këtë formë siç është bërë nga ana e Qeverisë më shumë krijon përshtypjen e dhënies së një lëmoshe vecanërisht për të punësuarit në institucionet shtetërore ku është dhe numri më i madh i të punësuarve”, thekson Arben Halili, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Ai thotë se duhet të ketë rritje të pagës minimale por jo kjo të bëhet sa për sy e faqe në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe eventualisht nëse realizohen dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG