Ndërlidhjet

Maqedoni: Rënie e profesionalizimit të mediave


Skandali mediatik i prezantuar nga opozita rreth përfshirjes së dy gazetarëve dhe të një televizioni në afera të thella korruptive, ka rritur shqetësimin e opinionit dhe të ekspertëve të kësaj sfere mbi informimin e lirë dhe të pavarur të mediave në vend.

Në fakt, Lidhja Socialdemokrate e opozitës, tani disa ditë prezanton dokumente të ndryshme, si fletëpagesa dhe kontrata mes institucioneve dhe gazetarëve ndërsa më skandaloz konsiderohet një tender në vlerën prej 1 milion euro, i fituar nga një gazetare, e cila njëkohësisht është edhe drejtuese e një kompanie për furnizime të pajisjeve mjekësore.

LSDM-ja ka zbardhur edhe afera tjera, siç ishte edhe ajo e mbulimit të fushatës elektorale të VMRO-DPMNE-së nga një televizion i cili vetëm për shtatë ditë ka fituar 360 mijë euro.

Palët e apostrofuara në këtë skandal ende nuk janë prononcuar mbi këto akuza ndërsa ekspertët thonë se bëhet fjalë për afera që e kanë përkeqësuar në skajshmëri pozitën e mediave edhe ashtu jo të favorshme.

“Këto afera në mënyrë plotësuese do të përkeqësojnë pasqyrën për mediat në Maqedoni. Por jo vetëm këto, nëse kësaj i shtojmë edhe dënimet e fundit që iu shqiptuan disa mediave tjera, konsideroj se gjendja do të rëndohet edhe më shumë, raporte do të ketë edhe më shumë dhe rrjedhimisht, ulje të pozicionit", thotë Petar Arsovski, komunikolog.

Ndërkohë, Sefer Tahiri, profesor i gazetarisë në fakultetin e shkencave të komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë thotë se rastet e fundit dëshmojnë se gazetarët në Maqedoni, me disa përjashtim është vënë në shërbim të propagandës, në vend të informimit të objektiv.

Skandalet e fundit, thotë ai janë edhe një dëshmi për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhen mediat në Maqedoni.

“Në këtë mënyrë, Ne sot në vend që të kemi informim, kemi propagandë dhe në vend që të kemi fakte në media, opinioni dhe publiku në përgjithësi bombardohet me të pavërteta dhe me të dhëna propaganduese që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Me këtë tentohet të krijohet një realitet virtual dhe një realitet imagjinar i krijuar nga ana e mediave. Ky konstruim i realiteti nuk përkon me realitetin objektiv, jetësor me të cilin përballen qytetarët e Maqedonisë“, thotë Tahiri.

Profesioni i gazetarit është specifik dhe është abursde që paralelisht me këtë profesion të ushtrosh edhe veprimtari tjera, në veçanti biznese që kanë lidhshmëri me pushtetin, thotë nga ana tjetër, Petar Arsovski.

“Njerëzit duhet të përcaktohen, ose do të jenë gazetarë dhe të drejtojnë ndonjë medium ose le të merren me biznese. Nuk mundet që të drejtosh një medium apo të punosh si gazetar dhe njëkohësisht të jesh edhe afarist i afërt me pushtetin“, thotë Arsovski.

Nga ana tjetër, Sefer Tahiri nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se gjendja e tanishme detyrimisht duhet të ndryshohet me ndërhyrjen urgjente të Shoqatës së gazetarëve dhe të gjithë faktorëve tjerë mediatik.

“Vetë media duhet të hap debat lidhur me gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendet dhe në këtë mënyrë të ndikohet tek pushteti që mediat të mos vazhdojë ti shoh si instrument për realizimin e interesave politike, por si mjet me të cilin qytetaret do të informohen dhe në një farë mënyre do të zbardhen faktet dhe e vërteta dhe jo të mjegullohet realiteti objektiv“, thotë Tahiri.

Ndryshe, gjendja e mediave në vend në vazhdimësi ka qenë objekti i kritikave të shumta të institucioneve ndërkombëtare, duke e vendosur atë si një nga kushtet për integrimin euroatlantik.

Sipas raporteve të organizatave të ndryshme mediatike, Maqedonia radhitet në grupit e shteteve pjesërisht të lira.
XS
SM
MD
LG