Ndërlidhjet

Seanca e parë e sesionit pranveror në Kuvendin e Kosovës është përshkuar me fjalime tejet dekurajuese për zhvillimin e shtetit të Kosovës, qoftë në planin e zhvillimit të brendshëm apo edhe në atë të integrimit evropian.

Deputetët, kryesisht nga radhët e taborit opozitar kritikuan qeverinë për mungesë të politikave zhvillimore, mashtrime dhe premtime pa mbulesë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka rikujtuar deklaratat e fundit të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë sivjet e ndoshta as dy- tri vitet e ardhshme.

Kjo sipas saj, dëshmon që deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi katër vjet më parë ishin vetëm premtime boshe elektorale dhe mungesë e përgjegjësisë politike.

Deputetja Osmani ka thënë se Kosova ka ngecur me përmbushjen e kritereve evropiane si në aspektin e liberalizimit të vizave ashtu edhe kritereve tjera, çka ka ndikuar që shtetasit e Kosovës të mbeten më të izoluarit në Evropë.

“Edhe partnerët tanë në BE tashmë e kanë kuptuar që nga Qeveria e Kosovës nuk mund të presin plotësim të kritereve teknike, por për t’u dhënë ndonjë karrot apo shpërblim në procesin e integrimeve, zakonisht nga ajo kërkohen koncesione në dialogun Kosovë-Serbi. Getoizimi i qytetarëve të Kosovës duhet të marrë fund, por çdo vit e më shumë po dëshmohet se ky izolim do të marrë fund, vetëm kur t’i jepet fund Qeverisë Thaçi”, është shprehur deputetja Osmani.

Ndërkohë, edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka kritikuar premtimet pa mbulesë të liderëve dhe qeveritarëve, të cilat kanë mbetur pa u përmbushur.

Premtimet e rrejshme, sipas tij, tashmë janë bërë një dukuri në politikën kosovare dhe se ato nuk mund të trajtohen ndryshe pos si mashtrime.

“A po iu duket se ky vendi ynë është shndërruar në një vend ku vetëm mashtrohet e mashtrohet. Mashtrohet me punësim me 5 mijë vet në Japoni, me liberalizim të vizave, me nga 600 njohje etj. A po iu duket se gjithçka është shndërruar në mashtrim dhe është lodhur populli”, ka thënë Gjini.

Një debat i gjatë është zhvilluar edhe në lidhje me privatizimin në Kosovë. Deputetët kritikuan sidomos privatizimin e ndërmarrjeve, dikur të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës që u realizua përmes “spin-off”-it special.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka shprehur vlerësimin e tij se nga privatizimi Kosova nuk fitoi asgjë.

Përkundrazi, ka nënvizuar ai, ky proces ishte devalvuar tej mase.

“Nga procesi i privatizimit nuk janë arritur efektet e dëshiruara. Kosova nuk ka zhvillim ekonomik. Kosova nuk ka fituar me privatizim vende të reja të punës dhe sipas materialit që ne e kemi shihet se ka kapërcyer edhe rrugët ilegale”, ka thënë Krasniqi.

Debatet e nxehta në Kuvendin e Kosovës janë shpeshtuar kohët e fundit.

Përderisa aty qeverisë i është luhatur mbështetja e shumicës për shkak të disa fraksioneve brenda partisë më të madhe në pushtet, opozita në anën tjetër po ndërmerr nisma të ndryshme.

Por, në fund, zakonisht as opozita dhe as pozita nuk po arrijnë të marrin ndonjë vendim të rëndësishëm për çështjet e mëdha politike që diskutohen pasi që as njëra dhe as tjetra duket se nuk kanë një shumicë për vendimmarrje në këtë organ.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG