Ndërlidhjet

logo-print
Sektori financiar dhe bankar në Kosovë është stabil, vazhdon të ketë nivel të lartë të qëndrueshmërisë dhe trend pozitiv të zhvillimit, vlerësojnë përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës, duke shtuar, se ky trend pozitiv është duke shërbyer si mbështetës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik në vend.

Pasqyra e treguesve financiare për vitin 2013, sipas BQK- së, është pozitive, ky sektor ka pasur rritje në pjesën e aseteve. Krahasuar me vitin 2012 astetet në këtë sektorë gjatë vitit 2013 janë rritur për 8 për qind.

Po ashtu, sipas të dhënave të BQK-së, ka pasur rritje të depozitave.

Depozitat në raport me vitin paraprak janë rritur për 7.6 për qind. Niveli i depozitave në vitin 2013 arrin në mbi 2 miliardë euro.

Derisa, gjatë vitit 2013 aktiviteti kreditor ka shënuar ngadalësim, kjo siç thuhet për shkak të ashpërsimit të kritereve të bankave komerciale për dhënie të kredive.

Në një konferencë për media guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza ka bërë të ditur se gjatë vitit që lëmë pas sektori financiar dhe bankar ka pasur performancë të kënaqshme.

“Në përgjithësi sektori financiar dhe bankar është stabil, është mirë i kapitalizuar, ka likuiditet të mjaftueshëm, sigurisht ka hapësirë për përmirësim. Sa i përket normave të kamatave ka trend negativ, megjithatë ne konsiderojmë se mund të bëhet përmirësim në disa segmente”, thotë Hamza.

Normat e larta të interesit vazhdimisht ishin kritikuar nga përfaqësues të bizneseve edhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

Këto norma të kamatave për kredi thuhet të kanë qenë barrierë për bizneset kosovare, duke vështirësuar kështu ambientin e të bërit biznes në vend.

Eksperti i çështje ekonomike, Milazim Abazi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet të bëhet ulje të normave të interesit në të kundërtën bizneset janë ato të cilat po dëmtohen më së shumti.

“Normat e interesit në kredi në Kosovë janë më të lartat në Evropë dhe ka disa vite që kjo gjendje është e pandryshuar gjë e cila po vështirëson zhvillimin e bizneseve në Kosovë dhe është një ngarkesë tepër e madhe për bizneset, këto norma të larta”, tregon ai.

Kamatat e kredive në Kosovë sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, norma këto që vazhdimisht janë cilësuar si më të lartat në rajon.

Ndërkaq, kamatat e kredive për biznese arrijnë deri në 14 për qind, varësisht nga operatori bankar.

Lidhur në uljen e normave të larta të interesit guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza konsideron se ka hapëisrë për ulje të tyre.

“Konkurrenca sigurisht se do të ketë ndikim në këtë fushë dhe nëse e shikojmë normën e kredive jo përforcuese vazhdon të jetë më e ulëta në rajon. Rritja e efikasitetit, reformat në sektorin e drejtësisë që janë duke u bërë bashkë me BQK-në, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe shoqatat e bankave kanë më dhenë efektin e vet dhe përmirësimi i raportimit financiar nga bizneset do të kenë efekt në uljen e normës së interesit në kredi”, shprehet ai.

Nga hulumtime të bëra nga përfaqësues të biznesit është vlerësuar se 25 për qind e bizneseve të falimentuara në Kosovë, veprimtarinë e kanë shuar për shkak të kamatave që aplikojnë bankat komerciale.

Mesatarisht në vit, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, shuhen mbi 1,000 biznese në Kosovë.

Ekonomia e Kosovës vazhdon të ketë normë të lartë e papunësisë gjë që kërkon një dinamikë edhe më të madhe dhe më të pasur të aktivitetit ekonomik i cili do të rezultonte me më shumë vende të reja të punës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG