Ndërlidhjet

Vendimi për vendosjen e regjimit të vizave ndaj Bosnje e Hercegovinës, është një hap reciprok ndaj këtij vendi, hap të cilin Qeveria e Kosovës ka qenë e dëtyruar ta ndërmarrë, vlerësojnë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës.

Me këtë vendim, Bosnjë e Hercegovina do të jetë shteti i 85-të në listën e vendeve, qytetarët e të cilave duhet të kërkojnë vizë për hyrjen në Kosovë.

Petrit Selimi, zëvendës ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se përkundër insistimeve të Qeverisë së Kosovës që qytetarët e të dyja vendeve të qarkullojnë pa kufizime, Bosnje e Hercegovina nuk ka dhënë shenja se për këtë çështje do të gjendet një zgjidhje.

"Ne kemi qenë shumë të zhgënjyer me faktin që Bosnje e Hercegovina, tash e 6 vjet nuk i njeh dokumentet e Kosovës edhe pse e ka njohur dokumentin e doganave. Përkundër insistimeve dhe dialogut tonë, nuk ka pasur kurrë farë lëvizje pozitive. Më lehtë është sot të shkosh prej Kosovës për të marrë vizën për të shkuar në Beijing në Kinë, se sa në Banja Llukë në Bosnje".

"Fatkeqësisht kemi qenë të detyruar ta ndërmarrim një hap të tillë, në shenjë reciprociteti. Autoritetet e Bosnje e Hercegovinës do ta kuptojnë se është në vet të mirën e shtetit të Bosnjës dhe Kosovës, si dhe marrëdhënieve rajonale, që ta përcjellë të paktën minimumin e standardeve rajonale dhe t’i liroj qtytetarët e Kosovës prej vizës", shprehet Selimi.

Zëvendësministri Selimi ka shtuar se qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, për momentin mund të pajisen me viza vetëm në Tiranë.

"Momentalisht, qytetarët e Bosnje e Hercegovinës le të drejtohen në Tiranë, në ambasadën e republikës së Kosovës, ku aplikojnë në mënyrë të rregullt, sipas procedurave të parapara me ligj për të gjithë qytetarët e tjerë që kanë nevojë për vizë kosovare. Gjatë pjesës së parë të këtij viti, do të hapen edhe pikat shërbyese të vizave kosovare edhe në qytetet tjera në rajon ku ka ambasada të Kosovës", bën të ditur Selimi.

Në anën tjetër, reagimet e autoriteteve të Bosnje dhe Hercegovinë, lidhur me vënien e regjimit të vizave nga ana e Kosovës, kanë qenë të shumta.

Ata thonë se do të kërkojnë dhe do të gjejnë një zgjidhje lidhur me çështjen e lirimit të qarkullimit të ndërsjellë të njerëzve dhe mallrave.

Bakir Izetbegoviq, anëtar i kryesisë së Bosnje dhe Hercegovinës, ka theksuar se vendi i tij, duhet gjetur mënyrën që kjo situatë të tejkalohet.

"Bosnje dhe Hercegovina duhet të bëjë ndonjë hap para lidhur me marrëdhëniet me Kosovën, por edhe për shkak të biznesmenëve tanë, të cilët e kanë punën në Kosovë. Shpresoj që këtë çështje ta përshpejtojmë dhe zgjidhim“, ka thënë Izetbegoviq.

Vjekoslav Bevanda, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës ka theksuar se duhet ndërmarrë të gjitha masat që të mos ndërpritet qarkullimi i njerëzve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës.

"Është krejtësisht normale që të bëjmë gjithçka, sepse Kosova, është partner tregtar i jashtëm mjaft i rëndësishëm. Duhet bërë gjithçka që të mos ndërpritet qarkullimi i njerëzve dhe mallrave. Por, gjithashtu, duhet qenë të qartë dhe të vetëdijshëm që Bonje dhe Hercegovina nuk e ka pranuar Kosovën . Kjo nuk është në domenin e Këshillit të Ministrave, por në jetën praktike duhet bërë gjithçka që lidhur me rrjedhjen e njerëzve dhe mallrave, të zgjidhen gjërat në mënyrë teknike“, ka teksuar Bevanda.

Zlatko Lagumxhija, ministër i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës ka theksuar se duhet gjetur mënyrën që kjo situatë të zgjidhet në atë mënyrë që të lehtësojë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.

“Propozimi që gjendet para Këshillit Ministror, është propozim i cili e vlerëson faktin se jeta duhet të zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërmjet atyre njerëzve që kanë lidhje private, familjare, kulturore dhe të tjera".

"Mendoj se është në interesin e Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës, por edhe gjithë rajonit, që kjo të zgjidhet në mënyrë që do ta lehtësonte qarkullimin e njerëzve dhe kapitalit, por duke mos paragjykuar çështjet politike. Besoj që do të arrijmë deri te një zgjidhje e tillë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave. Bosnjë e Hercegovina nuk duhet të jetë e veçantë nga e gjithë bota për gjithçka”, theksoi Lagumxhija.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës edhe më parë e kishte paralajmëruar Sarajevën zyrtare se së shpejti do t’i vërë vizat për shtetasit e Bosnjës, në mungesë të një përgjigjeje për marrëdhënie të mira fqinjësore.

Shtetasit e Kosovës, për të hyrë në Bosnjë e Hercegovinë duhet të kenë viza. Bosnjë e Hercegovina, përveç Serbisë është i vetmi shtet i rajonit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG