Ndërlidhjet

logo-print

SHBA duhet t’i thotë Turqisë: Ndrysho drejtimin!


Shkruajnë: Morton Abramowitz, Eric Edelman dhe Blaise Misztal

Çfarëdo arritjesh që të ketë pasur gjatë dekadës së fundit, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po shkatërron demokracinë e pasigurt të vendit të tij, shkruan gazeta Washington Post.

Sipas saj, ky është problem i thellë për turqit dhe aleatët perëndimorë të Turqisë. Të qëndruarit heshtur, me frikën se po të flitej, do të dëmtoheshin disa interesa afatshkurtër, rrezikon stabilitetin afatgjatë të Turqisë.

Gazeta kujton se muajin e kaluar, policia ka arrestuar mbi 50 persona, të afërt me Qeverinë e Erdoganit – përfshirë biznesmenë të shquar dhe djem të ministrave – nën akuzat për korrupsion.

Pasi ryshfeti ka përshkuar gjatë qeveritë turke, këto akuza nuk kanë qenë të padëgjuara. Ato prekin nivele të larta qeveritare, jo vetëm për shkelje të brendshme, por edhe për shmangie të konsiderueshme të sanksioneve iraniane.

Në vend që të sigurojë një ekzaminim të përpiktë të këtyre akuzave, Erdogani është duke i varrosur ato, shkruan gazeta. Ai ka shkarkuar prokurorë të lartë dhe rreth 3,000 policë në gjithë vendin, duke bërë përpjekje që të rrisë kontrollin e qeverisë mbi një gjyqësor të dobët.

Këtë rast, Erdogan e ka përshkruar si komplot kundër tij, ashtu siç i ka cilësuar edhe protestat antiqeveritare, që kanë shpërthyer verën e kaluar. Ai ka implikuar partitë opozitare dhe qeveritë e huaja; madje, ka kërcënuar se do të dëbojë edhe ambasadorin amerikan.

Këto nuk janë veprime të një politikani që thjesht kërkon të largojë skandalin. Erdogan shfrytëzon akuzat për të shypur kundërshtarët dhe për të forcuar kontrollin e tij mbi Turqinë.

Taktikat e tij nuk janë të reja, pasi kurdo që ka qenë i sfiduar, Erdogan ka tentuar të shkatërrojë kundërshtarët, në vend se të kërkojë komromisin, shkruan gazeta.
Qasja e SHBA-së ka qenë kryesisht heshtje publike.

Kjo strategji nuk ka pasur sukses. Ajo nuk ka ndikuar aspekte të rëndësishme të politikës së jashtme të Erdoganit, të cilat shpesh kanë qenë të kundërta me politikën amerikane; nuk e ka moderuar retorikën e tij konfrontuese dhe nuk ka çuar në një politikë të brendshme, më pak antagoniste. Në të vërtetë, heshtja e SHBA-së gjithë këto vite mund ta ketë inkurajuar Erdoganin.

Politikëbërësit amerikanë duhet të lënë mënjanë ngurrimin e tyre dhe të përballen me ndikimin katastrofal të tendencave diktatoriale të Erdoganit.

Sipas gazetës, Erdogan ka shfrytëzuar partneritetin e Turqisë me Shtetet e Bashkuara dhe marrëdhëniet e tij të ngushta personale me presidentin Obama që t’i japë shkëlqim legjitimitetit të tij. Dënimi nga SHBA-ja i veprimeve të tij të fundit, publikisht e më fuqishëm privatisht, do të mund të zbuste pompozitetin e tij.

Erdogan është duke i bërë dëm të madh demokracisë turke. Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë, edhe privatisht, edhe publikisht, se veprimet e tij ekstreme janë duke shkatërruar institucionet politike dhe vlerat e Turqisë, si dhe duke rrezikuar marrëdhëniet SHBA-Turqi, shkruan pos tjerash Washington Post.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG