Ndërlidhjet

Për vendet e rezervuara, marrëveshje politike


Ulëset e rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovë nuk do të vazhdohen me ndryshimin e Kushtetutës, por me një marrëveshje ndërmjet liderëve, paralajmërojnë përfaqësues të subjekteve më të mëdha politike.

Kjo marrëveshje, sipas këtyre pritjeve, do të arrihej në prani edhe të faktorit ndërkombëtar dhe do të vlente vetëm edhe për mandatin e ardhshëm katër vjeçar.

Një opsion të tillë, aktualisht e mbështesin Partia Demokratike e Kosovës, partitë përfaqësuese të komuniteteve pakicë si dhe një vlerësim pozitiv kohët e fundit ka shprehur edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq kundër këtij opsioni janë pozicionuar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci mendon se zgjidhja për vendet e rezervuara duhet kërkuar tek marrëveshja politike dhe jo te ndryshimet kushtetuese.

“Jam kundër ndërhyrjeve në Kushtetutë. Me kushtetutë këto mandate kanë përfunduar dhe tani e vetmja zgjidhje është që të ketë një marrëveshje politike mes liderëve politik për vazhdimin e tyre edhe për një mandat”, ka thënë Grabovci.

Në bazë të Kushtetutës, vendet e rezervuara pushojnë nga mandati i ardhshëm, me çka komunitetet mund të humbin të paktën pesë vende në Kuvend.

Pas zgjedhjeve të ardhshme fillon mandati i 20 vendeve të garantuara, të cilat do të ndahen; 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera.

Mirëpo, përfaqësuesit e pakicave kanë kërkuar që të vazhdohet me ulëset e rezervuara në Kuvend edhe për një mandat tjetër.

Vazhdimin e vendeve të rezervuara e kanë kundërshtuar në vazhdimësi dy subjekte opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Pa votat e këtyre dy partive politike, në legjislaturën aktuale të Kosovës është e pamundur që të bëhen ndryshime kushtetuese.

Andaj, tani po kërkohet që zgjidhja të gjendet jashtë parlamentit përmes një marrëveshje politike.

Megjithatë, aktualisht LDK, përmes shefit të Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri e kundërshton edhe këtë opsion, sikurse atë të ndryshimit të Kushtetutës.

“Nuk shohim asnjë arsye që të vazhdohet me mandatet e rezervuara për komunitetet. Ky është qëndrimi ynë si LDK. Ne nuk jemi dhe as nuk do të jemi pjesë e një vendimi që ndryshon Kushtetutën dhe nuk do të jemi pjesë e një vendimi që vazhdon mandatet e rezervuara”, ka thënë Beqiri.

Duke folur në emër të subjekteve politike nga komunitetet pakicë, Nenad Rashiq, kryetar i partisë Ardhmëria e Përbashkët ka thënë se vazhdimi i ulëseve edhe për një mandat do të siguronte një integrim më të mirë të komuniteteve.

Ai është zotuar se komunitetet nuk do t’i ndalin aktivitetet e tyre politike për të arritur këtë qëllim.

Ne si grup do të vazhdojmë të përdorim krejt elementet që kemi në dispozicion. Interesi është i madh dhe me këtë aprovim, unë konsideroj që mund të qitet vula e integrimit të komuniteteve në shoqërinë kosovare”, është shprehur Rashiq.

Kërkesa e partive nga radhët e komuniteteve ka hasur në një mirëkuptim edhe tek faktori ndërkombëtar.

Disa nga ambasadorët e vendeve perëndimore po ndërmjetësojnë takimet e liderëve të partive politike ku po synohet që ndër tjera, të gjendet edhe zgjidhja për ulëset e rezervuara për pakicat.
XS
SM
MD
LG