Ndërlidhjet

Davos: Kerry e mbrojti politikën e jashtme amerikane


John Kerry duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës
John Kerry duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i ka hedhur sot poshtë kritikat se politika e Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme është e çrregulluar, duke konstatuar se Uashingtoni është aktivisht i angazhuar në nisma të shumëfishta ambicioze diplomatike në rajon dhe çdokund tjetër.

Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ai i ka vlerësuar si “mite” pohimet për mosangazhimin e SHBA-ve dhe ka theksuar se Amerika është e përfshirë aktivisht, në mënyrë simultane për përfundimin e krizës në Siri, në marrëveshjen për programin atomik iranian dhe ndërmjetësues në procesin për arritjen e marrëveshjes paqësore izraelito-palestineze, raporton AP nga Davosi.

“Më duhet të them se jam i hutuar nga pretendimet, të cilat i dëgjoj herë pas here, se sikur Amerika po deangazhohet nga bota, ky mit se Amerika po tërhiqet, ose po heqë dorë”, tha Kerry, dhe shtoi se “në fakt, asgjë nuk mund të jetë më larg se e vërteta”.

Ai shpjegoi se “ky perceptim i gabuar duket se është i bazuar në vlerësimin e thjeshtë se mjeti ynë i vetëm i ndikimit është ushtria jonë, dhe se nëse ne nuk e kemi praninë e gjërë të trupave ose nuk vringëllojmë me kërcënim të menjëhershëm me forcë, ne në një mënyrë mungojmë nga arena”.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, theksoi se “nuk mund ta gjeni asnjë shtet tjetër të angazhuar aq proaktivisht, ose që ka partneritet me shumë vende në Lindjen e Mesme, në mënyrë konstruktive si ne, në shumë fronte të rëndësisë së madhe”.
XS
SM
MD
LG