Ndërlidhjet

Dibranët, kundër devijimit të rrjedhës së “Radikës”


Ilustrim
Ilustrim
Kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, thotë se është mirë që më në fund për “Projektin Fusha e Llukovës”, për ndërtimin e një hidrocentrali, me ç`rast në projektin ideor parashihet dhe devijimi i lumit Radika, flitet hapur edhe nga e zyrtarët e dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Këto komente Lata i bëri pas takimit të së premtes të ministrave të Ekonomisë dhe Ambientit Jetësor, Valon Saraçini dhe Abdulaqim Ademi, me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

“Sa u takon bisedimeve të djeshme, ne si komunë e Dibrës, jemi të kënaqur meqë çështja e lumit Radika më në fund u ngrit të bisedohet në nivel ndërshtetëror dhe kjo problematikë u vendos në tavolinat e dy shteteve”.

“Shqetësimet tona nuk kanë marrë fund, përderisa Qeveria e Tiranës nuk del me dokument zyrtar të nënshkruar, ku qartë do të theksohet se nuk pranon devijimin e lumit Radika”,
tha Lata për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, ministri i Ambientit Jetësor në Maqedoni, Abdulaqim Ademi tha se bëhet fjalë vetëm për projekt ideor, duke theksuar se është i bindur se devijimi i lumit Radika, nuk do të ndodhë.

“Projekti parasheh devijimin e një sasie të caktuar të ujit nga shtrati i lumit Drini i Zi në atë të lumit Vardar, por e theksoj, ky është vetëm projekt ideor. Studimi, të cilin do ta përgatisë kompania energjetike, duhet të dorëzohet në ministri dhe do të tregojë se sa do të jetë kjo sasi dhe nëse do të ketë impakt negativ”.

“Sigurisht, në bazë të këtyre informacioneve, do të jetë edhe vendimi përfundimtar i ministrisë. Në bazë të ligjit në Republikën e Maqedonisë, është i ndaluar devijimi i rrjedhave ujore nëse konstatohet se do të ketë impakt negativ jo vetëm për jetën ujore, por edhe për ekosistemin dhe biodiversitetin. Unë jam 90 për qind i sigurt që devijimi për lumin Radika është negativ”
, theksoi Ademi.

Duke komentuar reagimin e qytetarëve dibranë, Ademi pohon se shqetësimi i tyre më shumë ka të bëjë me keqinformimin duke u zotuar se në vendimmarrjen për realizimin e projektit në fjalë, do të përfshihen edhe banorët e zonës sapo të jetë përgatitur studimi, duke theksuar se për këtë çështje do të hapet një debat publik ku do të përfshihen banorët e zonës, organizatat joqeveritare , ekspertë dhe institucionet qeveritare të Maqedonisë.

“Jemi të detyruar, edhe përmes konventës ESPO, të cilën ne e kemi ratifikuar, të fusim në konsultime edhe vendet ku do të ketë impakt projekti, pra Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë, që të gjithë të jenë pjesë e vendimmarrjes", shpjegoi Ademi.

Por, kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, tha se, pa dashur të prejudikojë rrjedhën e mëtejme rreth këtij projekti, si dhe i prirë nga e kaluara e hidhur me këtë rajon, me shumë kujdes do ta përcjellë çdo hap duke përfshirë dhe ekspertë nga kjo zonë:

“Më duhet të sqaroj se ne dibranët nuk jemi assesi kundër prodhimit të energjisë elektrike në Maqedoni. Por, sa i përket projektit ‘Fusha e Llukovës’, ai është katastrofal, është anti-dibran, ngase të intervenohet në një park nacional të njohur nga e gjithë Evropa dhe njëherësh kundër tij, janë shprehur 119 ekspertë evropianë”.

“Kjo e bën shumë të qartë se bëhet fjalë për një veprim të pakontrolluar, meqë edhe pa devijuar rrjedhën e gjashtë burimeve në këtë zonë, mund të ndërtohen disa elektrana dhe hidrocentrale, andaj këtë iniciativë e shohim si tendencioze për Dibrën”
.

Lata rikujtoi autoritetet qeveritare se edhe ëgjat ndërtimit të hidrocentralit “Shpile” vetëm 1 kilometër e gjysmë larg qytetit, nga ana e qeverisë ishin dhënë shumë premtime, të cilat asnjëherë s’janë realizuar.

“Gjatë 50 vjetëve sa funksionon ‘Shpileja’, ne nga korporata energjetike s’kemi marrë asnjë donacion. Madje, as për fëmijët me hendikep, kjo bën të kemi të drejtë kur themi se askujt s’mund t`i besojmë. Ne e kemi përjetuar kohën e marrjes së tokave më të mira të fushës së Dibrës; gjatë 1963-s, në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare ishte e përfshirë dhe obligimi i kësaj korporate, të instalojë sistemin e ujitjes - gjë që nuk është realizuar”.

“Dhe, e treta, është paradoksale të merremi me këso gjërash në shekullin e XXI, por në këtë hidrocentral s’ka asnjë të punësuar shqiptar nga Dibra. Madje, një autobus me qytetarë maqedonas nga Struga sillet për të punuar dhe i kthen në mbrëmje”,
theksoi Lata.

Ndryshe, ministri i Ambientit Jetësorë bëri të ditur se edhe Banka Botërore, e cila është finacuese e këtij projekti nga afër ndjek të gjitha diskutimet si dhe rrjedhën e të gjithë procedurës për realizimin e projektit në fjalë.
XS
SM
MD
LG