Ndërlidhjet

Negociatat paqësore në Ukrainë, “të kota”

  • RFE /RL

Kiev...

Kiev...

Përpjekjet për të zgjidhur krizën në Kiev me mjete paqësore janë të kota, ka thënë të shtunën Ministria e Brendshme e këtij vendi.

Ministri Vitaliy Zakharchenko ka thënë se negociatat me protestuesit kanë dështuar dhe ka fajësuar “grupet radikale” për trazirat.

“Ngjarjet e ditëve të fundit në kryeqytetin e Ukrainës kanë treguar se përpjekjet tona për të zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore, pa iu konfrontuar forcës janë të kota. Thirrjet tona nuk janë marrë parasysh dhe armëpushimi është shkelur”, ka thënë Zakharchenko.

Komentet janë bërë derisa protestuesit kanë bërë përpjekje të okupojnë Ministrinë e Energjisë. Zyrtarët kanë thënë se ky është “akt terrorist”.
Në dy ditët e fundit, protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera të Ukrainës.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele, i cilin ndodhet në Kiev në përpjekje për të ndërmjetësuar zgjidhjen, i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë hapa konkretë për të ndalur “spiralen e dhunës dhe të frikësimit”.

Fuele ka takuar të premten presidentin Viktor Yanukovych dhe tre udhëheqësit kryesorë të opozitës.

Yanukovych ka premtuar riorganizimin e qeverisë së tij, amnisti për protestuesit e burgosur dhe ndryshimin e ligjeve që kufizojnë protestat. Sot, ai ka shkarkuar kryetarin e bashkisë së Kievit, i cili është fajësuar për shtypjen brutale që ka bërë policia ndaj protestuesve më 30 nëntor.

“Para së gjithash, nuk dua që njerëzit të ngrihen në rrugë. Ata vuajnë dhe nuk dinë se si të dalin nga kjo situatë. Po e përsëris: nëse nuk mund t’i ndalojmë radikalët në mënyrën e duhur, do të përdorim të gjitha masat që lejon ligji”, ka thënë Yanukovych.

Opozita ka hedhur poshtë premtimet e Yanukovychit dhe do që ai të japë dorëheqje. Udhëheqësi i opozitës, Vitali Klitschko, ka dhënë këtë deklaratë të premten:

“Të ndryshosh vetëm ministrat nuk është e mjaftueshme. Njerëzit duan të ndryshojnë rregullat, sepse ata janë të lodhur duke jetuar pa rregulla. Ju mund të blini secilën gjykatë, ju nuk mund të gjeni drejtësi në vendin tonë. Sistemi është krejtësisht i korruptuar. Kjo është arsyeja përse njerëzit nuk janë të lumtur”.

Protestat në Ukrainë kanë shpërthyer nëntorin e kaluar, pasi qeveria ka refuzuar një marrëveshje të planifikuar bashkëpunimi me Bashkimin Evropian.

Kriza është përshkallëzuar këtë javë, kur tre aktivistë të opozitës janë qëlluar për vdekje në Sheshin e Pavarësisë në Kiev. Opozita thotë se ata janë vrarë nga policia dhe snajperët, por qeveria i hedh poshtë këto pohime.

Autoritetet e Ukrainës kanë konfirmuar të shtunën se edhe një aktivst, i plagosur gjatë javës, ka ndërruar jetë në spital.(v.tela)
XS
SM
MD
LG