Ndërlidhjet

logo-print

Kiev: Zotim i liderëve opozitarë për vazhdim të betejës


Liderët opozitarë në Ukrainë janë zotuar për vazhdimin e betejës së tyre, disa orë pasi presidenti Viktor Yanukovich, u ofroi atyre poste të larta në qeveri për ta zbutur krizën.

Duke folur para mbështetësve mbrëmë vonë në kryeqytetin Kiev, Vitali Klitschko i ka përsëritur thirrjet e opozitës për zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe ndryshime kushtetuese.

Ish-kampioni botëror në boks, që u shndërrua në politikan, Vitali Klitschko, tha se presidenti Yanukovich është pajtuar për shumë kërkesa të opozitës, përfshirë edhe lirimin e protestuesve të arrestuar dhe anulimin e ndryshimeve aktuale kushtetuese.

Pozicioni ynë i qartë është për t’i anuluar këto ligje. Kërkesat tona janë: mbajtja e zgjedhjeve presidenciale këtë vit. Ne nuk do të tërhiqemi. Ne po i mbajmë pozicionet tona në Miadan dhe në rajone”, tha Vitali Klitschko.

Lideri tjetër opozitar, Arseniy Yatsenyuk, tha se opozita është gati për të marrë përgjegjësi, por shtoi se “populli do ta përcaktojë autoritetin në Ukrainë”.

Më vonë, Yatsenyuk tha se opozita, as nuk e pranon, e as nuk e refuzon ofertën e Yanukovichit, të bërë dje, që Yatsenyuk të nominohet kryeministër, ndërsa Klitschko zëvendëskryeministër. Ai tha se “po kryejmë konsultime serioze në mesin e tri forcave opozitare”.

Ai po ashtu, theksoi se opozita do të kërkojw që qeveria ta nënshkruajw marrëveshjen për tregti të lirë me Bashkimin Evropian dhe për lirimin e të burgosurve politikë, përfshirë ish-kryeministren, Yulia Tymoshenko.

Pas fjalimeve të liderëve opozitarë, protestuesit filluan sulmin ndaj një ndërtese, që ishte 100 metra larg Sheshit të Pavarësisë në Kiev, që është qendër e protestave, ku ishte vendosur policia.

Me këtë rast, protestuesit kanë thyer dritare, i kanë shkatërruar dyert dhe kanë hedhur bomba zjarri.

Sipas agjencisë Associated Press, sulmi në këtë ndërtesë, ka filluar pasi afro 200 policë janë parë duke hyrë atje dhe për shkak të spekulimeve se ata po përgatiteshin për shpërndarjen e demonstruesve.

Protestuesit më vonë, gjatë natës, e formuan një korridor në shkallët e ndërtesës, e cila është qendër kulturore, qartas për t’i lejuar pjesëtarët e forcave të sigurisë, që ndodheshin brenda, të mund të largoheshin nga ndërtesa.

Sipas agjencisë AFP, policia është larguar nga ndërtesa më vonë gjatë natës.

Gjatë vizitës së djeshme në Varshavë të Polonisë, presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, e ka dënuar “përdorimin e forcës dhe brutalitetin nga autoritetet e Ukrainës kundër demonstruesve”.

Ka konfirmim se katër njerëz janë vrarë gjatë trazirave, prej se ato filluan në kryeqytetin Kiev, para gjashtë ditësh.

Njëherësh, njeriu më i pasur në Ukrainë, Rinat Akhmetov, mbështetësi kryesor i Yanukovichit, tha se përdorimi forcës është i “papranueshëm”.



Të shtunën, protestuesit i shkatërruan zyrat e administratës rajonale në qytetin Vinistia, në jugperëndim të Kievit.

Në qytetin Lvov, ligjvënësit rajonalë votuan për krijimin e qeverisë paralele. Analistët thonë se ky veprim ishte kryesisht simbolik, por e ilustron pakënaqësinë e cila ekziston ndaj qeverisë në pjesën perëndimore të Ukrainës.

Tashmë protestuesit i kanë okupuar zyrat rajonale qeveritare në disa qytete.

Presidenti, Viktor Yanukovich, pati premtuar riformatizim të qeverisë së tij, amnisti për protestuesit e burgosur, rishqyrtimin e amendamenteve ndaj legjislacionit, me të cilin kufizohen protestat. Miratimi i këtij legjislacioni, javën e kaluar, i ka nxitur përleshjet aktuale.

Protestat anti-qeveri në Ukrainë filluan pasi Yanukovich, papritmas, u tërhoq nga marrëveshja për afrim me Bashkimin Evropian, për të cilën janë zhvilluar negociata për një kohë të gjatë, në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar.

Protestat, po ashtu, janë shkaktuar edhe nga ajo që aktivistët e cilësojnë si korrupsion i gjerë qeveritar, keqpërdorim i pozitës dhe shkelje e të drejtave të njeriut. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG