Ndërlidhjet

logo-print

Për Ivanoviqin, një muaj paraburgim


Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

Kryetarit të Iniciativës Qytetare "Serbia, Demokracia, Drejtësia", Oliver Ivanoviq, i cili është intervistuar ditën e hënë nga një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të martën i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji, njoftojnë zyrtarët e Misionit evropian për sundimin e Ligjit - EULEX.

Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e lirë se Oliver Ivanoviq dyshohet për krime lufte dhe vrasje të rëndë.

“Me kërkesën e një prokurori ndërkombëtarë nga prokuroria Speciale, sot në mëngjes, një gjykatës ndërkombëtar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ka urdhëruar 1 muaj paraburgim për Oliver Ivanoviqin, i cili dyshohet për kryerjen e veprave të krimeve të luftës dhe vrasjes së rëndë pas luftës”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, misioni EULEX përmes një komunikate pati njoftuar se “Ivanoviq nuk është arrestuar, por si qytetar i përgjegjshëm, i është përgjigjur thirrjes së EULEX-it për të dhënë deklaratë”.

Në anën tjetër, avokati i Oliver Ivanoviqit, Nebojsha Vlajiq ka thënë se klientit të tij i janë ngarkuar dy akuza për vepra penale.

“Ai është akuzuar për dy vepra penale. Njëra është nga viti 1999, i ashtuquajtur krim i luftës kundër civilëve, nga prilli i vitit 1999, gjatë kohës kur lufta po vazhdonte. Vepra e dytë penale është e ashtuquajtura nxitje e të tjerëve për kryerjen e veprave penale, vrasje apo lëndime të rënda trupore, të cilat kinse janë kryer në shkurt të vitit 2000. Siç e shihni, veprat janë të vjetra tash e më shumë se 14 apo 15 vjet”, ka theksuar avokati Vlajiq.

Ai ka shprehur mendimin se prapa paraburgimit të Ivanoviqit qëndrojnë motivet politike.

Sipas avokatit Vlajiq, Ivanoviqi është dërguar në njësinë e paraburgimit në Prishtinë.

Ai thotë se ndaj masës së paraburgimit, do të ushtrojnë ankesë, për shkak se, siç thotë ai, për shqiptimin e kësaj mase nuk ka arsye dhe bazë dhe se do të kërkoj lirimin e Ivanoviqit.

Akuzat me të cilat është ngarkuar ai janë krejtësisht të pakuptimta dhe do të mund t’i vlerësonim qesharake nëse ato nuk do të ishin shumë serioze. Bëhet fjalë për vepra penale serioze, me të cilat ata po e ndërlidhin Oliver Ovanoviqin, ndonëse ai nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë ndërlidhje. Hapat tonë të ardhëm janë që të ndërmarrim krejt çka është e mundur ligjërisht dhe politikisht, që Oliver Ivanoviq të lirohet dhe t’i mundësohet që të mbrohet në liri”, ka thënë avokati Vlajiq.

Kërkesën që Ivanoviq të mbrohet në liri e kanë parashtruar edhe përfaqësuesit e Iniciativës qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” lider i së cilës është Oliver Ivanoviq.

Ksenija Bozhoviq nga kjo iniciativë ka theksuar se kërkesën e tyre ia kanë parashtruar edhe autoriteteve të Beogradit, që të ushtrojnë ndikimin që Ivanoviq të mbrohet në liri.

Ajo gjithashtu ka kërcënuar se të gjithë këshilltarët komunal në të gjitha komunat veriore, si dhe kryetarët e komunave mund të japin dorëheqje, në rast se Ivanoviq nuk lirohet.

“Ne si këshilltarë, do të thotë të gjithë në kuvend, në të gjitha komunat, ashtu sikurse edhe kryetarët e komunave, paralajmërojmë dhe jemi duke menduar të japim dorëheqje. Për këtë i kemi lajmëruar të gjithë, madje edhe ambasadat, sepse konsiderojmë se më pas do të rrezikohet edhe marrëveshja e Brukselit".

"Nuk kemi më arsye të shkojmë në zgjedhje në qoftë se një njeri, siç është Oliver Ivanoviq, është në paraburgim. Cili është qëllimi i zgjedhjeve, çfarë demokracie është kjo, për çka do të flasim dhe kënd do ta kandidojmë, kur asgjë nga kjo nuk është pranuar”
, theksoi Bozhoviq.

Ndryshe, të hënën rreth orës 19 :30, para ndërtesës të selisë së policisë së EULEX-it, kanë protestuar disa dhjetëra qytetarë të Mitrovicës veriore, në mesin e të cilëve ishin edhe këshilltarët komunal nga Iniciativa qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia”.

Dy orë më pas, protestuesit janë shpërndarë të qetë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG