Ndërlidhjet

New York Times: Kthesa e gabuar e Turqisë


Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ishte javën e kaluar në Bruksel, duke synuar ripërtëritjen e marrëdhënieve me Evropën, por në radhë të parë, për gjetjen e zgjidhjes, ai duhet ta kërkoj atë brenda vetvetes, shkruan në fillim të editorialit të vet, e përditshmja New York Times.

Ajo konstaton se, dikur Erdogan, i lavdëruar si lider i modelit të demokracisë myslimane, e ka krijuar një katastrofë politike në shtëpi, duke e transformuar Turqinë në një shtet autoritar, që paraqet rrezik jo vetëm për vetveten, por edhe për aleatët e saj në NATO, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Trazira e fundit i ka rrënjët në luftën politike ndërmjet Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit të zotit Erdogan, dhe ish-aleatëve të tij të afërt, të cilët janë mbështetës të intelektualit të moderuar islamik, Fethullah Gulen, i cili jeton në Pensilavni, të Shteteve të Bashkuara.

Tensionet kanë shpërthyer në konflikt të hapur, muajin e kaluar, me hetimet për korrupsion, që çuan në dorëheqjen e katër ministrave të qeverisë dhe kërcënuan që ta fusin në grackë familjen e zotit Erdogan, shkruan New York Times.

Këtë hetim, kryeministri e ka quajtur “përpjekje për grushtshtet” dhe e ka fajësuar një “organizatë sekrete” brenda sistemit të drejtësisë dhe policisë, të udhëhequr nga lëvizja Gulen dhe duke u shërbyer “fuqive të jashtme”, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Prej atëherë, qeveria i ka spastruar qindra zyrtarë të policisë dhe prokurorë dhe ka synuar të krijoj kontroll ndaj sistemit të drejtësisë.

Po ashtu, e ka propozuar legjislacion për zgjerimin e autoritetit të qeverisë, për t’i nominuar gjyqtarët dhe prokurorët, duke e cenuar më tutje pavarësinë e sistemit të drejtësisë, dhe i ka parandaluar gazetarët që të raportojnë lirisht.

Hetimi dhe reagimi i zotit Erdoganmund të jetë i motivuar politikisht, shkruan New York Times, duke i përmendur zgjedhjet e rëndësishme lokale në muajin mars.

Por, zoti Erdogan do të duhej të insistonte që hetimi të jetë korrekt dhe transparent, e jo të përpiqej ta pengonte.

Mënyrat e tij të pamëshirshme dhe përpjekja e tij për t’i goditur ata që mendojnë ndryshe, nuk janë gjëra të reja, siç ka treguar edhe goditja kundër demonstruesve gjatë protestave të qershorit të kaluar.

Aksionet e tilla i shkelin reformat demokratike, që kërkohen nga Bashkimi Evropian, në kuadër të synimit të Turqisë për anëtarësim, që mund të jetë në rrezik më tepër se kurrë më parë, dhe veprimet e tij janë gjithnjë e më tepër në kundërshtim me parimet themelore të anëtarëve të NATO-s, shkruan New York Times.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kishte të drejtë kur tha në Bruksel se evropianët duhet të kërkojnë që Turqia t’i kthehet sundimit të ligjit.

Administrata e presidentit Obama, po ashtu, duhet të dërgoj mesazh të fuqishëm për kursin dëmtues të cilin po e mbanë zoti Erdogan.

Nëse Turqia kujdeset për demokracinë e fituar me vështirësi, që ka kontribuar në rritjen impresive ekonomike, ose do të kthehet në regjim autoritar, është po aq kritike për stabilitetin rajonal dhe për aleatët e NATO-s, sa është edhe për turqit, shkruan në fund të editorialit të vet, e përditshmja New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG