Ndërlidhjet

Obama: Më tepër mundësi për klasën e mesme

  • RFE /RL

Presidenti Obama gjatë fjalimit vjetor, 28 janar 2014

Presidenti Obama gjatë fjalimit vjetor, 28 janar 2014

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka shfrytëzuar fjalimin e tij për gjendjen në vend, për të shpallur atë që ai e cilësoi si “propozime konkrete dhe praktike”, për ta reduktuar dallimin ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.

Duke folur në sesionin e përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, mbrëmë vonë sipas kohës amerikane, ka sinjalizuar qëllimin e tij për të ndërmarrë aksion ekzekutiv në ekonominë amerikane, duke e anashkaluar bllokadën në Kongres, për të “ndërmarrë hapa pa legjislacion” me qëllim që të zgjerohen mundësitë ekonomike për familjet e klasës së mesme amerikane.

“Sot, pas katër viteve të rritjes ekonomike, profiti i korporatave dhe çmimi i aksioneve rrallë ka qenë më i lartë, dhe ata në maje kurrë nuk kanë punuar më mirë. Por, rrogat mesatare mezi kanë lëvizur. Pabarazia është thelluar. Lëvizshmëria lart është ndalur. Fakt i ftohtë dhe i fuqishëm është se edhe në mes të ripërtëritjes, shumë amerikanë po punojnë më tepër se kurrë, por marrin sa për të jetuar, e jo për të ecur përpara. Dhe shumë njerëz ende as që punojnë”, tha Barack Obama.

Ai ka theksuar se dëshiron të punoj me ligjvënësit për ta përshpejtuar rritjen ekonomike në mënyrë që i forcon dhe i rritë mundësitë për klasën e mesme amerikane.

“Ajo që unë ofroj sonte është një komplet i propozimeve konkrete dhe praktike, për ta shtuar rritjen, forcuar klasën e mesme dhe për të ndërtuar shkallë të reja të mundësive për klasën e mesme. Disa kërkojnë aksion të Kongresit, dhe unë jam i etur për të punuar me të gjithë ju. Por, Amerika nuk do të ndalet dhe as unë nuk do të ndalem. Pra, për çfarëdo qoftë dhe kurdo qoftë unë mund të ndërhyj pa legjislacion për ta zgjeruar mundësinë për më tepër familje amerikane. Këtë do ta bëj unë”, tha Barack Obama.

Fjalimi i presidentit, i cili u mbajt në orët e hershme të mëngjesit të sotëm sipas kohës së Evropës së Mesme, dhe është ndjekur nga miliona amerikanë në televizion dhe Internet, e shënon fillimin e fushatës së zgjedhjeve të mes mandatit në Kongres, që pritet se do ta përfshijë Uashingtonin gjatë muajve të ardhshëm.

Demokratët, që synojnë mbizotërimin e republikanëve, që konsiderohen si mbrojtës të të pasurve, e kanë shtyrë Obamën që më tepër të fokusohet në çështjet e korrektësisë ekonomike dhe përpjekjet për reduktimin e hendekut ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.

Obama ka sugjeruar se etika punuese amerikane është e kërcënuar nga rritja e disparitetit të të ardhurave në Shtetet e Bashkuara:

“Ajo që unë besoj e bashkon popullin e këtij vendi, pavarësisht nga raca, rajoni ose partia, i ri ose i moshuar, i pasur ose i varfër, është thjeshtë, besim i thellë në mundësitë për të gjithë, vendi ku nëse ju punoni shumë dhe merrni përgjegjësi, ju mund të shkoni përpara. Të ballafaqohemi me këtë: ky besim ka pësuar disa goditje serioze. Për më tepër se tri dekada, bile edhe para goditjes së Recesionit të Madh, ndryshimet masive në teknologji dhe kompetivitetin global kanë eliminuar shumë vende pune të mira të klasës së mesme dhe e kanë dobësuar themelin ekonomik, në të cilin janë mbështetur familjet”, tha Barack Obama.

Irani dhe Afganistani ishin lartë në çështjet e politikës së jashtme në fjalimin e presidentit Barack Obama.

Ai tha se ai do të vendos veto në çdo lëvizje të Kongresit për të imponuar sanksione të reja kundër Iranit, gjatë muajve të ardhshëm me qëllim që tu jepet gjasë për sukses përpjekjeve diplomatike për programin atomik të Teheranit.

Presidenti Obama theksoi se një forcë e vogël e Shteteve të Bashkuara dhe e NATO-s mund të mbetet në Afganistan, edhe pas vitit 2014. Por, ai ka premtuar për ta shpallur të mbyllur luftën 12 vjeçare në Afganistan, në fund të vitit 2014.

Sipas tij, ushtarët amerikanë, që mbeten në Afganistan, pas këtij viti, do të jenë atje për dy misione: stërvitje dhe ndihmë për forcat e sigurisë afgane dhe për operacione antiterroriste kundër çfarëdo mbetjeve të al-Kaidës.

Në përgjigjen e republikanëve, pas fjalimit të Obamës, anëtarja e Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Cathy McMorris Rogers, ka akuzuar se “më tepër amerikanë janë ndalur në kërkim të punës, e pastaj e kanë gjetur një” vend pune, nën politikat ekonomike të presidentit.

Ajo i ka kritikuar reformat e kujdesit shëndetësor të Obamës, ndërsa e ka kundërshtuar presidentin edhe në pjesën e fjalimit të tij për pabarazinë në të ardhura.

“Presidenti ka folur shumë për pabarazinë në të ardhura. Por, hendeku real me të cilin ne ballafaqohemi sot është ai i pabarazisë së mundësive. Me këto politika të administratës, ky hendek është bërë edhe shumë më i madh. Ne e shohim rritjen e thellimit të këtij hendeku çdo ditë”, tha Cathy McMorris, anëtare e Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga Partia Republikane. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG