Ndërlidhjet

Ukrainë: Parlamenti e filloi seancën speciale, debatohet për amnisti


Protestuesi qëndron në mbrojtje të barrikadave në Kiev të Ukrainës

Protestuesi qëndron në mbrojtje të barrikadave në Kiev të Ukrainës

Ligjëvënësit në Ukrainë e kanë filluar seancën speciale parlamentare, në të cilën pritet të debatohet për amnistinë e mundshme për disa protestues antiqeveri të burgosur gjatë javëve të fundit.

Kjo lëvizje u bë një ditë pasi presidenti, Viktor Yanukovich, e ka pranuar dorëheqjen e qeverisë, ndërsa parlamenti e ka tërhequr legjislacionin antiprotestë, që e kishte miratuar para dy javësh.

Zoti Yanukovich ka sinjalizuar se amnistia është e mundshme vetëm nëse protestuesit tërhiqen nga rrugët dhe i lirojnë ndërtesat qeveritare të cilat i kanë okupuar. Kjo kërkesë, deri tash, është refuzuar nga opozita.

Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton dhe Stefan Fyle, e vizitojnë Kievin në përpjekje për të ndërmjetësuar në këtë krizë.

Kjo vizitë bëhet pas kritikave të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili dje në Bruksel tha se zyrtarët e BE-së po e përkeqësojnë krizën në Ukrainë me ndërhyrje politike.
XS
SM
MD
LG