Ndërlidhjet

UP-së i kërkohet llogaridhënie


Vazhdojnë protestat e studentëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:51 0:00

Vazhdojnë protestat e studentëve

Protesta e studentëve, e organizuar nga organizatat studentore, e cila ka nisur që nga fundi i javës së kaluar, ka vazhduar edhe të mërkurën.

Të tubuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, studentët kanë ripërsëritur kërkesat e tyre për dorëheqje të rektorit Ibrahim Gashi dhe, po ashtu, kanë kërkuar të nisin procedurat ligjore dhe të iniciohen hetime në lidhje me keqpërdorimet e deritashme në këtë institucion.

Studentët kanë mbajtur të bllokuar hyrjen e ndërtesës së Rektoratit të UP-së, ndërkohë që Policia e Kosovës ka mbajtur nën vëzhgim protestuesit.

Njëri nga organizatorët e protestës, Roland Sylejmani, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se protestat nuk do të ndalen derisa të mos ia kthejnë, siç thotë ai, “dinjitetin këtij institucioni”.

“Kërkesat tona, si grup i pavarur i studentëve, janë dorëheqja e menjëhershme e rektorit Ibrahim Gashi, inicimi i procedurave hetimore për të gjitha keqpërdorimet që kanë ndodhur në UP, që nga paslufta, të hetohen thirrjet akademike dhe doktoratat që janë marrë që nga paslufta, dhe thirrja e fundit është ndryshimi i statutit të UP-së, i cili siguron autonomi, transparencë dhe depolitizim të plotë”, ka thënë Sylejmani.

Në mbështetje të studentëve ka dalë është profesori Agron Dida, i cili ka thënë se përkrah kërkesat e studentëve dhe se ato janë legjitime.

“Një veprim i tillë i këtyre njerëzve është një veprim poshtërues që duhet të dënohet ligjërisht, jo vetëm të jepet dorëheqje, por duhet të kërkohet përgjegjësi penale për prezantime të rrejshme për falsifikim të dokumenteve në bazë të neneve ekzistuese të ligjeve të vendit”, ka theksuar Dida.

Edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se konsideron që protestat e studentëve janë të drejta.

Ne qëndrojmë prapa studentëve, ata kanë të drejtë kjo situatë duhet të zgjidhet dhe të përfillen kërkesat e studentëve”, ka vlerësuar Shala.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka thirrur të mërkurën në një takim Këshillin Drejtues të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, për të diskutuar për gjendjen e krijuar dhe për mundësitë e tejkalimit të saj.

Ministri Buja ka kërkuar nga Këshilli Drejtues që në një afat sa më të shkurtër, të dalë me plan konkret për tejkalimin e gjendjes së krijuar në Universitetin e Prishtinës, gjithmonë duke u bazuar në kompetencat ligjore që ka Këshilli Drejtues.

Sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës, procedurat për shkarkimin e Rektorit mund të iniciohen me shumicën absolute të votave nga Këshilli drejtues dhe Senati i UP-së.

Vendimi i Këshillit drejtues për shkarkim është valid me shumicën e kualifikuar të 2/3 të votave të anëtarëve.

Në rast të shkarkimit të rektorit, sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës, përfundon edhe mandati i prorektorëve.

Senati i Universitetit të Prishtinës pas protestave të studentëve, ka marrë një vendim ku ka emëruar një komision për shqyrtimin e revistave, në të cilat ka publikuar stafi akademik i Universitetit të Prishtinës.

Po ashtu, Senati i UP-së, ka bërë të ditur se do të inkurajohen debate për të gjitha shqetësimet që janë ngritur lidhur me Universitetin.

Për gjendjen e krijuar në Universitetit të Prishtinës mjaft kritik janë shprehur edhe ekspertë të çështjeve të arsimit.

Halim Hyseni nga Qendra për avancimin e performancës së sistemit të arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se problemet në Universitetin e Prishtinës janë akumuluar me vite dhe se gjendje është jashtëzakonisht e rëndë.

“Mendoj se nuk është problemi tani, ky është vetëm një segment, i cili ka dalë në pah. Problemet në thellësi janë më të mëdha. Këtu ka nevojë që të bëhet një analizë dhe e gjithë ajo që i ka paraprirë kësaj gjendjeje të evitohet dhe të luftohet”, ka vlerësuar Hyseni.

Protestat e studentëve kanë filluar pas raportimit në mediat në Kosovë se në shumicën e punimeve shkencore që rektorit Gashi i janë njohur si kontribut për marrjen e titullit doktor shkence, janë të botuara në një revistë në Indi, e cila është revistë false shkencore.

Ndërsa, kohë më parë ka pasur edhe pezullimet dhe shkarkime të disa zyrtarëve dhe profesorëve në Universitetin e Prishtinës, nën dyshimet për afera korruptive.
Ndryshe, Ibrahim Gashi në korrik të vitit 2012, u zgjodh rektor i Universitetit të Prishtinës për një mandat katërvjeçar për periudhën 1 tetor 2012 - 1 tetor 2016.
XS
SM
MD
LG