Ndërlidhjet

Maqedoni: Korrupsioni pa epilog ligjor


Ilustrim
Ilustrim
Organizatat joqeveritare kanë ngritur zërin ndaj fenomenit, siç e kanë quajtur, “skandale të mëdha korruptive, por pa epilog juridik”.

Sipas tyre, ky fenomen gjithmonë shfaqet kur vendi përballet me zgjedhje, duke theksuar se institucionet shtetërore, pa zhurmë, por me shumë përkushtim, duhet të vënë në funksion të gjithë mekanizmat juridikë për t`i zbardhur të gjitha indicet, të cilat shfaqen në opinion se dikush ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kryetarja e Transparency International nga Maqedonia, Sllagjana Taseva, thotë se është shqetësues fakti se pavarësisht gjithë atyre “aferave koruptive”, të cilat janë prezent në mediat e vendit, Maqedonia radhitet e fundit për zbardhje të rasteve korruptive, të cilat zakonisht lidhen me furnizimet publike.

“Gjykatat dhe Parlamenti, si institucione, të cilat duhet të paraqesin garanci për sundimin e së drejtës, thjesht, nuk kanë arritur të ushtrojnë kompetencat e tyre në funksion të sundimit të së drejtës. Në Maqedoni është krijuar një përshtypje se janë të paprekshëm, gjegjësisht tërësisht të mbrojtur të gjithë ata që lidhen me korrupsionin dhe kjo gjendje duhet dhe mundet të çrrënjoset me ndryshime strukturore nga koka në bazë për t`u arritur rezultate të dëshirueshme”, thotë Taseva.

Ndryshe, sipas një hulumtimi që ka realizuar Iniciativa për Komunikim me Qytetarët gjatë realizimit të furnizimeve publike, qoftë në nivel qendror, apo atë vendor, në të shumtën e rasteve regjistrohen shkelje të procedurës juridike në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike.

Sipas hulumtimit, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2013, në formë jotransparente janë realizuar një varg marrëveshjesh që arrijnë vlerën prej 22.6 milionë euro.

Ndërkohë, partitë politike çdo ditë dalin në media për të kumtuar se oponentët e tyre politik kanë keqpërdorur arkën shtetërore duke denoncuar skandale të shumta korruptive. Mirëpo, për asnjë rast të vetëm, deri më tani nuk ka ende asnjë nismë nga institucionet për hetimin e tyre.

Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, thotë se Maqedonia ka harmonizuar në masë të konsiderueshme ligjet që sigurojnë mekanizma të shumtë për të parandaluar korrupsionin me ata të vendeve të zhvilluara demokratike të Bashkimit Evropian, por problemi qëndron në atë se nuk ka vullnet politik.

“Mosinicimi i procedurave për këto rate, që i shohim ose dëgjojmë në media, më së shumti, sipas mendimit tim, kanë të bëjnë me neglizhencën e institucioneve përkatëse, që janë të thirrura për të zbatuar ligjin, sesa për mungesë të rregullativës ligjore, institucioneve, apo kuadrit profesional. Pra, mungon vullneti për ta zbatuar ligjin këtu, te ne, në Maqedoni, por një gjë e tillë është evidente edhe në vendet e tjera të rajonit”, vlerëson Musa.

Nga ana tjetër, politikologu Goran Iliq nga Universiteti i Shkupit,
vlerëson se nxjerrja në pah e skandaleve nga oponentët politikë bëhet për të mbledhur vota nga elektorati dhe në asnjë mënyrë nuk synohet të luftohet korrupsioni.

“Logjika juridike thotë se nëse konstatohet shkelje e ligjit, institucionet përkatëse menjëherë duhet të ngrenë padi. Por, meqë kjo nuk ndodh, është e kuptueshme se këto përplasje që i shohim në media, kanë vetëm një qëllim, përfitimin e pikëve politike”, konsideron Iliq.
XS
SM
MD
LG