Ndërlidhjet

Unioni Afrikan diskuton për Rep. Afrikane, Sudanin Jugor


Ilustrim
Ilustrim
Liderët e Unionit Afrikan pritet të diskutojnë të enjten në Addis Abeba konfliktin në Republikën Qendrore Afrikane dhe Sudanin Jugor, ku mijëra civilë janë vrarë dhe qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Samiti dy ditor pritet të vlerësojë mundësinë e shtimit të forcave paqeruajtëse të Unionit Afrikan në Republikën Qendrore Afrikane.

Ky union ka mbi 3,500 trupa ushtarake në terren.
Ky shtet është zhytur në kaos prej marsit, pas përmbysjes së presidentit.

Unioni Afrikan dhe Franca kanë dërguar trupat e veta në këtë shtet, por ato ende nuk kanë arritur që të ndalin dhunën ndërmjet të luftëtarëve seleka mysliman dhe grupeve vigjilante të krishtera.

Në Sudanin Jugor, raportohet se kanë rinisur luftimet sporadike përkundër armëpushimit të shpallur më 23 janar nga blloku Lindor Afrikan IGAD, i cili punon ngushtë me Unionin Afrikan.

Konflikti për pushtet ndërmjet të presidentit Salva Kiir dhe ish-zëvendësit të tij Riek Machar, është shndërruar në dhunë gjatë dhjetorit, kur edhe shpërthyen trazirat e përgjakshme ndërmjet të grupeve të ndryshme etnike në këtë shtet.

Samiti i Unionit Afrikan, fillimisht kishte në agjendë çështjen e sigurimit të ushqimit, mirëpo kriza humanitare në zhvillim e sipër në Republikën Qendrore Afrikane dhe Sudanin Jugor, ka shtyrë dy shtetet më lartë në agjendën e kësaj mbledhjeje.
XS
SM
MD
LG