Ndërlidhjet

Viteve të fundit në Kosovë ka filluar shkatërrimi apo humbja e tokave bujqësore. Ky fenomen paraqitet shqetësues për autoritetet kompetente, si dhe për bujqit.

Një sipërfaqe e madhe e tokave të punueshme, kryesisht ato në rrafshin e Kosovës, sidomos në të dyja anët e magjistrales, janë betonuar, duke ndërtuar fabrika, shtëpi, objekte hoteliere dhe pompa të benzinës, thotë Tahiri Tahiri, nga Federata e Bujqve të Kosovës, duke shtuar se mbi 1000 hektarë tokë bujqësore, asgjësohet brenda një viti.

Tahiri thekson se shqetësimin për shkatërrimin e tokës bujqësore, e kanë paraqitur edhe tek autoritetet kompetente.

“Një prej atyre shqetësimeve të mëdha, është uzurpimi i tokave bujqësore, të cilat janë të mbrojtura me ligj dhe ky fenomen nuk ka të ndalur”.

“Ka pesë vjet që kjo dukuri ka filluar, ka nisur edhe më herët, por vrullin më të madh e ka nga viti 2008. Dhe, është fatkeqësi e madhe, pasi prej pas shpalljes së pavarësisë, ndodhin këto gjëra, që vërtet janë shumë shqetësuese, sepse po zvogëlohen sipërfaqet e tokave bujqësore, madje ato më të pjelloret”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Kosova ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë e 887 kilometrash katrorë.

Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës të vitit 2011, thuhet se 53 për qind e tokës është bujqësore, 41 për qind pyjore, një për qind e tokës është ujore, kurse 5 për qind është sipërfaqe tjetër, si tokë trafiku, urbane.

Humbja e madhe e tokës bujqësore nga ndërrimi i destinimit, paraqitet problem edhe për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Megjithatë, Adil Behramaj, zëdhënës në këtë ministri, thotë se në bazë të dispozitave ligjore, ministria e Bujqësisë ka vetëm rol monitorues në këtë çështje, kurse komunat kanë obligim që ta zbatojnë Ligjin për tokën bujqësore.

“Procedurat dhe përgjegjësitë për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore, janë të rregulluara me akte nënligjore, ku nga ministria kërkohet pëlqimi vetëm për tokat bujqësore të klasës 1- 4 që vlerësohet se kanë bonitet më të lartë”.

“Për këto toka, me propozim të komunave, varësisht se çfarë parashohin ato në planet zhvillimore të tyre për zona të ndryshme, japim pëlqimin apo mospëlqimin tonë, të cilin komunat mund ta shndërrojnë në vendim, ose ta refuzojnë në tërësi. Pra, është çështje ekskluzive e komunave”,
thekson Behramaj.

Edhe Tahir Tahiri, konsideron se Kuvendet Komunale po e degradojnë tokën bujqësore:

“Është shumë shqetësues, sepse në këto uzurpime janë të përfshira edhe institucionet komunale, të cilat japin leje për ndërtimin e objekteve, që nuk kanë të bëjnë fare me prodhimtarinë bujqësore. Vetë kryetarët e komunave nënshkruajnë leje ndërtimi për objekte të ndryshme private”.

Sipas Ligjit për tokën bujqësore, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2005, thuhet se toka bujqësore, si pasuri natyrore me interes të përgjithshëm, ka mbrojtje të veçantë dhe duhet të shfrytëzohet për prodhimtari bujqësore dhe nuk mund të përdoret për qëllime tjera, përveç në rastet e përcaktuara me këtë ligj dhe me dispozitat e tjera të nxjerra në bazë të tij.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG