Ndërlidhjet

Vazhdon protesta e studentëve në Prishtinë


Ilustrim
Ilustrim
Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë bllokuar për të katërtën ditë me radhë ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Në këtë mënyrë ata kanë pamundësuar hyrjen e punëtorëve të rektoratit në vendin e tyre të punës.

Tri grupe të studentëve, që janë nënshkruar si organizatore të protestës, thuhet në një komunikatë të lëshuar për media se gjatë hyrjes së studentëve në oborrin e Rektoratit, sigurimi privat, nën vëzhgimin Policisë së Kosovës ka ushtruar dhunë fizike mbi disa studentë.

“Ndalimi i punës së atij që me punën e tij e ka rrënuar Universitetin është punë e mirë. Përpjekja e studentëve për ta ndaluar rrënimin dhe zhbërjen e Universitetit vazhdon. Sa më e gjatë kokëfortësia e tij për të qëndruar në krye të Universitetit, aq më qartë kuptohet se pozitën e vet ai nuk e ka të lidhur me dijen dhe zhvillimin, por me pushtetin dhe abuzimin”, thuhet në komunikatë.

Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë kërkuar ditë më parë nga protestuesit që të mos bllokohet ndërtesa e Rektoratit, pasi që kjo po iu pamundëson atyre vazhdimin e një pune normale në rektoratin e UP-së.

Protesta e studentëve ka filluar një javë më parë, pas raportimit në mediat në Kosovë se në shumicën e punimeve shkencore që rektorit Ibrahim Gashi i janë njohur si kontribut për marrjen e titullit doktor shkence, janë të botuara në një revistë në Indi, e cila është revistë false shkencore.
XS
SM
MD
LG