Ndërlidhjet

The Lancet: Vodka vdekjeprurëse

  • RFE /RL

Shishe të vodkës në Rusi...

Shishe të vodkës në Rusi...

Një studim i gjerë i publikuar të premten në revistën mjekësore britanike "The Lancet", ka bërë të ditur se konsumimi i vodkës është shkaktar i madh i vdekjeve të parakohshme të të rriturve në Rusi.

Studimi gjurmoi 151 mijë rusë; 8 mijë kanë vdekur gjatë viteve 1999 – 2008, ku rrezik shumë më të madh për vdekje të parakohshme kishin ata të cilën pinin 3 apo më shumë shishe të vodkës në javë, se sa ata që konsumonin më pak se një shishe.

Sipas bashkë-autorit të publikimit, Richard Peto të Universitetit të Oksfordit, hulumtimi konfirmon një lidhje reciproke në mes të kufizimeve të alkoolit të imponuara nga qeveria dhe përqindjeve të ulëta të vdekjes gjatë tridhjetë vjetëve të fundit në Rusi.

“Gjëja kryesore që shkakton kërcime në nivelin e vdekjeve ishte vodka”, tha Peto në një komunikatë për media.

Në vitet e 80-a, udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev ndërmori masa të rrepta kundër konsumit të alkoolit, me anë të së cilave pati një rënie prej 25% të përqindjes së vdekjeve.

Por ky vendim u kundërshtua thellësisht dhe shumë shpejt kjo masë u braktis.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, përqindja e vdekshmërisë u rrit përsëri dhe alkoolizmi ishte i shfrenuar.

Profesori David Zaridze nga Qendra Ruse për Hulumtim të Kancerit në Moskë, njëherësh bashkë-autor i publikimit, tha se vdekshmëria në Rusi ka rënie, pasi që qeveria ndërmori masa për kufizim të alkoolit në vitin 2006.

Ai vuri në dukje se rritja e akcizës për alkoolin e importuar, dënimi më i ashpër për shitjen e alkoolit të të miturve, si dhe një ndalimi i reklamimit të tij, janë hapa të vegjël, por pozitive.

Në vitin 2010, presidenti i atëhershëm rus Dmitry Medvedev filloi një fushatë kundër alkoolit, duke ndaluar shitjen e tij gjatë natës dhe e ngriti çmimin minimal të vodkës.

“Unë do të thosha se këto janë masa mjaft të moderuara, të vogla, por për kokë banori shitja e alkoolit të fortë ka rënë për 33 për qind”, tha Zaridze.

Sipas raportit, në vitin 2005, 25 për qind e meshkujve rusë vdiqën para moshës 55 vjeçare, në krahasim me vetëm 7 për qind në Britani, vdekje këto të cilat i atribuohen pirjes së duhanit dhe të alkoolit.

Studimi ka veçuar ndikimin e vodkës në subjektet e intervistimit të tij nga faktorët e tjerë, duke përfshirë edhe pirjen e duhanit, arsimin dhe vendbanimin.

Subjektet janë marrë nga qytetet industriale siberiane Barnaul, Bryisk dhe Tomsk, të cilat kanë normat e vdekjes të ngjashme me normën kombëtare.

Ky studim i revistës “The Lancet” është i dyti për vdekjet nga alkooli në Rusi, i përbërë prej ekipit të shkencëtarëve nga Qendra Ruse për Hulumtim të Kancerit, Universiteti i Oxfordit në Britani dhe nga Agjencia e Hulumtimit të Kancerit në Francë.(g.kraja)
XS
SM
MD
LG