Ndërlidhjet

Reforma zgjedhore synohet të përmbyllet gjatë shkurtit


Foto nga arkivi, Kuvendi i Kosovës

Foto nga arkivi, Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës i ka bartur përgjegjësinë e propozimit të rekomandimeve në lidhje me reformën zgjedhore Komisionit për Legjislacion.

Ndonëse një punë të tillë, tashmë kishte kryer Komisioni ad-hok për Reformën Zgjedhore për shkak të përfundimit të mandatit, përgjegjësia i është bartur atij për Legjislacion.

Vendimi është marrë me 62 vota për dhe një abstenim. Sipas një dinamike të përcaktuar, reforma do të duhet të përmbyllet gjatë muajit shkurt.

Fillimisht, Kuvendi zhvilloi debat rreth reformave të nisura qysh para më gjatë se tre vjetësh. Kryetari i ish-Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli kërkoi që rekomandimet t’i dërgohen Komisionit për Legjislacion në mënyrë që të hyjnë në procedura të rregullta.

Kurse gjatë debatit, Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetit Arsim Bajrami ka mbështetur organizimin e zgjedhjeve të rregullta dhe jo të parakohshme.

Ai propozoi që partitë politike në Kuvend të përfundojnë reformën dhe më pas të merren vesh për zgjedhjet duke u mbështetur edhe në standardet e Venecias. Në vijim, Bajrami ka përmendur tri parakushte, sipas tij, për reformë dhe zgjedhje të suksesshme.

“Të arrihet konsensusi në parlament dhe në nivelin e liderëve rreth reformës zgjedhore dhe ky konsensus të jetë sa më i madh. Pastaj, insistojmë që gjatë muajit shkurt të finalizohet projektligji për ndryshim-plotësimin e ligjit për zgjedhje nacionale. Po ashtu, edhe pse nuk është e caktuar me dispozitë kushtetuese, ka një standard elektoral evropian i Venecias që korniza ligjore duhet të jetë e përfunduar gjashtë muaj para se të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Bajrami.

Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se reforma deri më tani është përdorur vetëm si instrument politik i kryeministrit të Kosovës dhe liderit të LDK-së nga opozita për pazare politike dhe jetëgjatësinë e qeverisë aktuale.

Ndërkaq lidhur me reformën, ajo ka shpalosur qëndrimet e subjektit që përfaqëson.

“Ne jemi për një zonë zgjedhore dhe lista të hapura. Jemi që pragu zgjedhor të jetë 7.5 për koalicione, 5 për partitë politike dhe 2.5 për qind për kandidatët e pavarur. Po ashtu, jemi për një balanc të KZQ-së me përbërje 50 me 50 për qind nga pozita e opozita. Jemi që lista e votuesve të pastrohet nga personat e vdekur dhe ata që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës”, ka lexuar disa nga kërkesat e Vetëvendosjes, deputetja Haxhiu.

Me deputetëve Lëvizjes Vetëvendosjen kanë replikuar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti ka thënë se Vetëvendosje nuk po propozon kurrfarë ndryshimesh dhe vetëm po merret me fajësimin e subjekteve tjera.

Hamiti tha po ashtu se puna e Komisionit ad-hok ishte margjinalizuar nga momenti kur reforma u transferua si temë negociatash ndërmjet liderëve të partive politike.

“Krejt çka lexoi zonja (Albulena Haxhiu) ekziston në ligjin ekzistues. Pra, ju jeni kundër reformës dhe jeni për mbet ashtu si është. Një njësi zgjedhore, është kushtetuese, listat e hapura është kushtetuese, pra nuk kemi prek asgjë këtu”, i është drejtuar deputetes Haxhiu, deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti.

Shumë deputetë u shprehën me skepticizëm nëse Kuvendi me të vërtetë ka vullnet që të bëhet kjo reformë.

Edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ishte një nga ata që shprehu dyshime duke thënë se kjo përbërje e Kuvendit nuk do të mund të përfundojë këtë reformë.

“Problemi nuk është te ligji, por te ata që janë të pandërgjegjshëm të cilët me qëllim dhe në mënyrë të organizuar keqpërdorin votën e qytetarit. Këtu nuk është mbrojtur as vota e kandidatit dhe as vota e qytetarit. Por, unë nuk besoj që ky Kuvend ka kapacitet që ta bëj reformën në afatin e duhur dhe në afatin që i duhet Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Reforma zgjedhore në Kosovë ishte iniciuar paralelisht edhe me ndryshimet kushtetuese.

Mirëpo, në mungesë konsensusi, tani mbetet që të provohet të bëhen ndryshime vetëm në ligjin zgjedhor.

Madje, shumë nga propozimet, siç është ai që Kosova të jetë një zonë zgjedhore dhe që votimi të jetë me lista të hapura, tashmë parashihen edhe me ligjin aktual, kështu që mbetet të shihet se çfarë rekomandimesh do t’i sjell në fund kuvendit Komisioni për Legjislacion i cili tani ka materien në duart e veta.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG