Ndërlidhjet

Organizatat studentore në Kosovë, të thirrura për të mbrojtur interesat e studentëve, ngritjen dhe zhvillimin e jetës studentore në veçanti, shumë herë nuk arrijnë të pajtohen me njëra-tjetrën.

Protesta e studentëve, e cila ka filluar një javë më parë për dorëheqje të rektorit Ibrahim Gashi, ndonëse ka marrë mbështetjen e shumicës së organizatave studentore, nuk ka marrë përkrahjen e mënyrës së organizimit të protestës.

Tri grupe të studentëve, si organizatore të protestës, Studim Kritik Veprim,
Klubi Politik i Studentëve dhe Grupi i Studentëve të Ulqinit në Prishtinë , për disa ditë rresht kanë mbajtur të bllokuar hyrjen e ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Kjo formë e protestës nuk i ka pëlqyer shumë Grupit të Pavarur të Studentëve, të cilët po ashtu kishin protestuar për shkarkimin e rektorit Ibrahim Gashi, por duke mos bllokuar punën e Rektoratit.

Roland Sylejmani nga Grupi i Pavarur i Studentëve në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se nuk e përkrahin idenë se duhet të mbyllet rektorati, dhe se janë për protesta paqësore.

“Ne nuk e përkrahim idenë që duhet të mbyllet Rektorati, ne jemi për protesta paqësore dhe për t’i shtyrë proceset përpara. Ne mendojmë se nëse bllokohet puna e Rektoratit, do të ketë kundërefekt për studentët”, thotë Sylejmani.

Ky Grup i pavarur i studentëve, ka marrë disa aktivitete simbolike, përmes së cilave ka shprehur pakënaqësitë rreth zhvillimeve që janë duke ndodhur në Universitetin e Prishtinës.

Këta studentë kanë lansuar edhe një peticion online për dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.

Me mënyrën e protestës së tri organizatave studentore, nuk pajtohet edhe Parlamenti Studentor, si organi më i lartë i përfaqësimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Minir Begaj, kryetar i Parlamentit të Studentëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar nga këto tri organizata që të tregojnë shqetësimet e tyre, dhe t’i drejtojnë te Parlamenti Studentor dhe në këtë mënyrë të bashkuar t’i iniciojnë çështjet.

“Qëndrimi ynë, si parlament, është që puna e institucioneve të mos pengohet dhe këto organizata që po mbajnë protesta, qëndrimet e veta t’i paraqesin në Parlamentin e Studentëve dhe së bashku të vazhdojnë t’i shtyjmë çështjet. Dhe jo të bllokojmë rrugët apo shkallët e Rektoratit dhe të bllokojmë punën e institucioneve”, shprehet Begaj.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e tri organizatave studentore që kanë mbajtur të bllokuar Rektoratin për një javë rresht, e të cilët kanë paralajmëruar që protesta e tyre do të vazhdojë, thonë se kjo formë e protestës është demokratike.

Fisnik Sahiti, njëri nga organizatorët e protestës, thotë se protesta e tyre apo edhe bllokimi i Rektoratit nuk ka asgjë të keqe, por është një hap përpara për shoqërinë kosovare.

“Ne e kuptojmë që pa forma të presionit direkt të vetë studentëve, Rektorati, këshilli drejtues dhe ministria, nuk do të marrin hapa për t’i hetuar këto raste dhe për të vendosur drejtësi. Kjo është një metodë demokratike që e praktikojnë edhe shumë shtete tjera dhe ne kemi marrë mjaft mbështetje nga shoqëria në përgjithësi”, thekson Sahiti.

Në Kosovë janë të certifikuara 15 organizata studentore që funksionojnë në kuadër të Universitetit të Prishtinës” Hasan Prishtina”.

Misioni i këtyre organizatave është luftimi i dukurive negative në këtë fushë, por edhe në shoqëri, në përgjithësi, stimulimin e studentëve përmes literaturës, si dhe udhëzime të ndryshme në kërkim të diturisë.

Studentë të Universitetit të Prishtinës, të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se ka numër të madh të organizatave, por që asnjëherë nuk mbrojnë interesat e studentëve.

Fatjon Asllani student thekson raste kur përfaqësues të organizatave, jo që punojnë në dobi të studentëve, por, madje, në dëm të tyre.

“Ka shumë organizata studentore, por nuk dua të veçoj asnjë. Mund të punojnë më shumë. Ato, madje, ndikojnë edhe në procesin e regjistrimit të studentëve, me të njohur. Dhe, jashtë universitetit po mbesin studentë, të cilët e meritojnë me dije”, thotë Fatjoni.

Ndër të tjera, studentët vlerësojnë se organizatat studentore janë edhe të politizuara.

Arben Kaqanolli, student i Fakultetit Ekonomik, thekson se organizatat studentore janë të politizuara dhe secila mbron interesat partiake duke harruar misionin e tyre.

"Organizatat studentore nuk mbrojnë fare interesat e studentëve për çka janë të thirrura. Janë të politizuara, partitë politike kanë futur rrënjë edhe tek këto organizata”, thekson Arbeni.

Ndryshe, organizatat studentore janë organizata joprofitabile me karakter jo politik, të cilat me aktivitetin e tyre nuk duhet të anojnë në asnjë program të ndonjë partie politike.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG